ARSENAL

REUTERS
Lëndimi i paqartë i Kallstromit!
1 February, 2014 @19:51
Gjatë ditës mediat britanike raportuan për një lëndim të Kim Kallstromit që në stërvitjen e parë të tij me Arsenalin dhe sipas kësaj informate, ai do të mungonte për 2 deri në 3 muaj që do të thotë se nuk do të luante fare me Arsenalin në periudhën e huazimit të tij.
Sidoqoftë, zyrtari për media te Arsenali, Mark Gonella i ka sqaruar këto informacione të botuara sot, duke thënë se Kallstrom është lënduar, por lëndimi nuk është shumë serioz.
“Kallstrom ka lënduar shpinën dhe është duke u ekzaminuar nga mjekët. Klubi do të flasë zyrtarisht për atë nesër. Mirëpo, mendoj që mungesa 2-3 muajshe është e tepruar. Unë nuk mund të them saktë sa do të mungojë, nesër do ta kuptoni nga klubi,” ka thënë Gonella për gazetën suedeze Sportbladet pasdite.
Derisa Daily Mail raportoi se Kallstrom u lëndua që në stërvitjen e parë, suedezja Aftonbladet ka shkruar se mesfushori i posatransferuar nga Spartaku i Moskës as që ka marrë pjesë në stërvitje dhe se lëndimi i tij mund të jetë njëri nga i cili ka vuajtur më parë.
Mesfushori suedez me përvojë Kim Kallstrom dje u huazua në Arsenal, nga Spartaku i Moskës, pak para përfundimit të afatit kalimtar dimëror.