LIRIA - GJILANI
Liria bie në zonën e rënies
1 March, 2019 @15:32
Skuadra e Lirisë ka dështuar të shënojë fitore edhe në ndeshjen e tretë të pjesës pranverore të stinorit dhe tashmë ka rënë nga zona e PlayOutit në zonën e rënies të Superligës.
Përkundër insistimit të madh të lojtarëve dhe rasteve që kishin, kryesisht në pjesë të parë të ndeshjes, bardhezinjtë nuk kanë arritur të shënojnë fitore dhe kështu, pas kësaj xhiroje kanë rënë në pozitën e parafundit të tabelës.
Epërsinë Lirisë ia solli Blendi Memaj sot, që shënoi golin e parë të pranverës për ekipin në krizë, ndërsa më pas kishte edhe raste tjera që nuk u futën në portën e Kenan Haxhihamzës. Liridon Fetahaj dhe Fatih Karahoda patën raste të mira për shënim, por goli s’erdh.
Vonë në pjesë të dytë Gjilani u këndell, ndërsa lojtari i ardhur në janar nga Bregu i Fildishtë, Keita Razak shënoi me kokë për barazim 1-1, pas asistimit të Endri Maganit.
Më pas edhe Fiton Hajdari pati rast të mirë për shënim për Gjilanin, derisa në minutat shtesë rastet nuk u konkretizuan për përfundimtaren 1-1.
Gjilani me këtë pikë ka kapur barazimin e dytë pranveror dhe tash ka 29 sosh.