VËLLAZNIMI - PRISHTINA
Liridon Leci vendos, Prishtina në çerekfinale
19 February, 2017 @14:24
Në një terren jo të favorshëm për lojë, derbi i dy rivalëve të vjetër të futbollit kosovar, Vëllaznimit e Prishtinës, u mbyll me fitoren e kryeqytetasve, të cilët me golin e Liridon Lecit nga pika e bardhë në fillim të takimit, e fituan takimin dhe e arritën çerekfinalen e Kupës së Kosovës.
Penalltia e fituar nga Prishtina u shkaktua nga mbrojtësi Ilir Syla, ndërsa Leci nuk gaboi dhe kampioni në fuqi i Kupës së Kosovës e gjeti golin e epërsisë.
Më pas, përveç goditjes së Drilon Nuzës mbi portë, pjesa e parë ishte e qetë dhe pa raste konkrete për asnjërën skuadër.
Në pjesën e dytë ishin prishtinasit ata që rrezikuan më tepër. Disa raste për shënim u shpërdoruan nga Mankenda, një prej tyre përfundoi në shtyllë, ndërsa në anën tjetër rast për t’u përmendur për gjakovarët është goditja e fortë e Jeton Dushit në minutën e 60’.
Gjithsesi, me kualitetin që anon nga Prishtina, mund të thuhet që Vëllaznimi zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë dhe e kërkoi barazimin deri në fund, mirëpo barazimi nuk u gjet dhe Prishtina e arriti çerekfinalen falë golit të shënuar nga pika e bardhë.