ARMEND DALLKU
Dallku: Vetë emri Vëllaznim, na motivon
18 February, 2017 @22:30
Prishtina nesër udhëton drejt Gjakovës për t’u përballur me rivalin e vjetër, Vëllaznimin, në kuadër të 1/8 së Kupës së Kosovës.
Para këtij dueli, që është i pari për stinorin pranveror, foli kapiteni me përvojë i Prishtinës, Armend Dallku, i cili u shpreh për faqen zyrtare të klubit.
“Jemi përgatitur mjaft mirë për këtë fillim të stinorit, pasi që kemi pasur dy faza përgatitore jashtë vendit, për çka duhet falënderuar kryesisë së klubit që na e kanë mundësuar të punojmë siç është më së miri, siç ishte puna në Turqi - vend ky që na ofroi kushte të përkryera, si të stërvitjes e po ashtu edhe të zhvillimit të ndeshjeve kontrolluese. Ndërsa, për ndeshjen me Vëllaznimin, unë personalisht nuk kam tani njohuri për ta, pasi që garojmë në rangje të ndryshme. Mirëpo, vetë emri Vëllaznim, të mjafton për motivim, por njëjtë e motivon edhe kundërshtarin tonë emri jonë. Sepse, ky derbi nuk është nga sot, por ka krijuar traditë të moçme. Dhe pa marrë parasysh, ne udhëtojmë në Gjakovë vetëm për fitore dhe nuk na lejohet asnjë justifikim tjetër në rast të mossuksesit tonë. Shpresoj dhe besoj shumë se ekipi ynë do t’i qaset me seriozitet maksimal ndeshjes, pa marrë parasysh që ekipi i Vëllaznimit është në një rang më të ulët se ne,” tha Dallku.
Ndeshja mes Vëllaznimit dhe Prishtinës do të fillojë nga ora 12:30, ndërsa fituesi i kësaj ndeshjeje kualifikohet në çerekfinale të Kupës.