BARAZIM
Llapi nxjerrë pikë në Gjilan
25 September, 2015 @15:55
Mesfushori i Llapit, Benjamin Emini, ka shënuar golin e tretë të tij në dy ndeshjet e fundit sot, për t’i siguruar skuadrës së tij një pikë të vlefshme nga Gjilani.
Llapi ka barazuar në pjesë të dytë ndaj Gjilanit dhe ka pasur edhe raste për fitore, por në fund - gjithçka u nda baraz nga ndeshja e parë e xhiros së shtatë të stinorit.
Kjo ka qenë humbja e parë e pikëve të plota të gjilanasve këtë stinor si vendas në Superligë, derisa tentimet për riavancim në ndeshje, shkuan kot për kuqebardhët e Anamoravës.
Sa i përket pjesës së parë të ndeshjes, Gjilani nisi më mirë dhe shënoi, por Llapi kah minuta e 20-të nisi të rrezikojë. Ekipi i Sedat Pajazitit më vonë tentoi përmes Bahri Kerës dhe Besnik Krasniqit. Sidoqoftë, ajo u mbyll me 1-0 për gjilanasit.
Shikuar në përgjithësi nga paraqitja në fushë, rezultati ishte edhe epilogu që do të duhej të dilte nga ky takim, derisa Gjilani tashmë në xhiron tjetër do të ketë punë të vështirë ndaj Besës në Pejë, kurse Llapi pret kampionin Ferronikelin.