MEDIA
Logoja e re e FFK-së, e bërë nga UEFA
22 March, 2021 @21:50
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në një konferencë për shtyp nesër, do të prezantojë fanellat e reja të saja për ndeshjet kualifikuese të kampanjës për Katar 2022.
Por, aty nuk përfundojnë risitë për futbollin. Sipas një informate që ka rrjedhë në media, FFK ka ndërruar edhe llogon që vite më parë kishte bërë bujë për mënyrën e selektimit si dhe dizajnin e saj.
E tash, FFK-ja si duket për të mos vënë gjërat në dilema vendore, ka angazhuar vetë UEFA-në që të krijojë llogon e re të FFK-së.
Së paku, kështu ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili në një prononcim për Expressin ka bërë të ditur se “Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ua ka besuar ekspertëve të UEFA-s realizimin e logos së FFK-së, njësoj siç ua kanë realizuar edhe disa shteteve tjera.”
“UEFA e ka departamentin e marketingut, i cili edhe e ka realizuar edhe logon tonë. UEFA u ka kryer shërbim të njëjtë edhe shteteve tjera. Ne kemi marrë mendime, ide nga Komiteti Ekzekutiv, tifozët “Dardanët” dhe nga shumë njerëz e grupe të tjera se çfarë elementesh t’i përfshijmë në logon e re. Mendimet dhe idetë më të mira zyra jonë e marketingut ia ka përcjell UEFA-s, e cila i ka përfshi elementet e propozuara nga ne në logon e re, të cilën do ta shihni nesër”, deklaroi për Expressin, Eroll Salihu, i cili theksoi se ky shërbim nga UEFA i është bërë pa pagesë FFK-së.
FFK kishte ndërruar logon në vitin 2018.