STËRVITJA E PARË — ANULOHET
Anulohet stërvitja e futbollistëve të Kosovës
22 March, 2021 @15:49
Futbollistët e reprezentacionit të Kosovës do të duhet të ndërrojnë lokacion dhe lloj stërvitjeje, pasi që FFK ka bërë të ditur se është anuluar stërvitja e paraparë për lojtarët në Kampin Nacional për Edukim në Hajvali.
Kjo stërvitje ishte paraparë të niste prej orës 16:00, ndërsa si shkak i mosmbajtjes së stërvitjes aty është përmendur të jetë vonesa e ardhjes së aeroplaneve me lojtarët e Kosovës nga disa vende, duke mos cekur për cilët lojtarë bëhet fjalë.
ORARI I TË GJITHA NDESHJEVE dhe TABELAT
“Ndonëse fusha në kamp është pastruar nga bora, vonesat në linja ajrore për shkak të motit të ligë dhe ardhja me vonesë e futbollistëve në Aeroportin Adem Jashari ka bërë që përzgjedhësi Bernard Challandes të vendosë për rigjenerim dhe stërvitje fitnesi në hotelin ku qëndrojnë lojtarët,” ka bërë të ditur FFK përmes një njoftimi me shkrim botuar në llogarinë e Federatës në Facebook.
Bernard Challandes ka ftuar 27 futbollistë për ndeshjet e marsit, kualifikuese për Botëror dhe miqësoren para tyre. Kosova pret Lituaninë në miqësore më 24 mars, pastaj Suedinë në kualifikuese më 27 mars para se të marr rrugë për Spanjë, në përballjen e 31 marsit, gjithashtu kualifikuese.