PËRZGJEDHËSI I RI I KOSOVËS U-21, MICHAEL NEES
Nees: Ky kamp është test final për kualifikueset
22 March, 2021 @21:00
Përzgjedhësi i ri i Kosovës U21, Michael Nees, në prag të nisjes me ekspeditën e lojtarëve dhe stafit të tij drejt Katarit për miqësoret e radhës të Dardanëve të rinj ka bërë të ditur se këto ndeshje do të jenë test final para ndeshjeve kualifikuese.
Ai është shprehur se i njeh mirë lojtarët, pasi që edhe më parë ka parë nga afër punën e Rafet Prekazit me stafin e tij.
“Edhe më parë kam qenë me Kombëtaren U21 në vazhdimësi si drejtor teknik. I kam qëndruar afër Rafet Prekazit dhe stafin e tij. E njoh ekipin, pasi kam pasur mundësi t’i ndjek nga afër lojtarët që prej ekipeve tjera zinxhirë, prandaj jam i lumtur që do të kemi këtë kamp stërvitor në Doha dhe që do t’i luajmë dy ndeshje miqësore me Katarin. Kualifikimet fillojnë në qershor dhe nuk kemi kohë për të humbur. Shpresoj që çdo lojtar të mbërrijë në gjendje të mirë në Katar. Normalisht se ky kamp dhe ndeshjet miqësore do të na shërbejnë si përgatitje për ndeshjet kualifikuese. Kemi dëshirë që çdo lojtari t’ia japim minutat e mjaftueshëm për t’i treguar vlerat e veta në stërvitje, por po ashtu për ne është shumë e rëndësishme që ta shohim këtë kamp si test final para ndeshjes kualifikuese me Andorrën në qershor”, ka theksuar Nees.
Ekspedita e Kombëtares U21 ka udhëtuar sot drejt Dohas, ku më 26 dhe 29 mars do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore me Kombëtaren U21 të Katarit.