3B
REUTERS
Luftë e ashpër në maje të Bundesligës
28 September, 2013 @17:31
Treshja kryesuese e Bundesligës - 3B - Borussia, Bayern dhe Bayer, kanë arritur të shënojnë fitoret e radhës në xhiron e shtatë të kampionatit gjerman.
BAYERN
Bayern Munchen ka shënuar fitore ndaj Wolfsburgut me rezultat minimal, 1-0. Dallimin në ndeshje e ka bërë mesfushori i bavarezëve, Thomas Muller, kur shënoi në minutën e 63-të të takimit pas asistimit të lojtarit më të mirë të vitit në Europë, Franck Ribery.
Përkundër rasteve Bayern nuk ka arritur të shënojë më, derisa kërcënimet e Wolfsburgut kanë qenë të pakta.
Xherdan Shaqiri është futur në lojë nga minuta e 62-të, për të zëvendësuar yllin holandez të ekipit Arjen Robben. Shaqiri në një rast, ishte i vetëm para portës së Diego Benaglios dhe pasoi për Mario Mandzukicin, i cili u ngatërrua dhe nuk arriti të shënojë, pas dy tentimeve, ku njërën e nxorri nga porta mbrojtëi i Wolfsburgut.
BORUSSIA
Borussia Dortmund ka vazhduar si furi në Westfalen. Skuadra e udhëhequr nga Jurgen Klopp ka shkatërruar ekipin ku luan Admir Mehmedi, duke e mposhtur me rezultat të thellë 5-0.
Marco Reus ka shënuar dy gola dhe ka asistuar një herë, njejtë sikurse edhe Robert Lewandowski, derisa golin e fundit e shënoi Jakub Blaszczykowski.
Admir Mehmedi ka qenë në fushë për 90 minuta, mirëpo ekipi i tij nuk ka mundur asgjë të bëj ndaj Dortmundit fantastik sot, posaçërisht pasi që nga minuta e fundit e pjesës së parë, luajtën me 10 lojtarë. Fallou Diagne u ndëshkua me karton të kuq në minutën shtesë të pjesës së parë.
BAYER
Edhe aspirinët e Bayerit kanë shënuar fitore të radhës. Ekipi i udhëhequr nga Sammi Hyppia ka arritur të mposht Hannoverin 2-0. Golashënues kanë qenë mesfushorët Simon Rolfes dhe Sidney Sam.
Treshja është në maje të Bundesligës, ku pritet një betejë e ashpër deri në fund të kampionatit.
Rezultatet dhe tabela aktuale.