TOVËRLANI

BOROZANI/Erdis Driza
Në disciplinore
28 September, 2013 @11:58
Pas dyshimeve për inskenim të rastit të gjakosjes në ndeshje ndaj Trepçës në mesjavë, si dhe deklaratave të pamatura në konferencë për shtyp një ditë pas ndeshjes, Federata e Futbollit të Kosovës ka hapur procedurë disciplinore ndaj trajnerit të Prishtinës, Afrim Tovërlani.
Përveç tjerash, FFK-ja ka kërkuar nga Tovërlani që ta sjellë edhe raportin mjekësor lidhur me lëndimin e tij.
Gjithashtu, procedurës disciplinore nuk i ka shpëtuar as fizioterapeuti i klubit kampion, Alban Llumnica, për shkak të mashtrimit të opinionit në lidhje me gjakosjen e Tovërlanit.
Afrim Tovërlani ishte goditur nga një kanaçe në ndeshjen Trepça-Prishtina dhe ishte shtrirë afër fushës së lojës, derisa iu dha ndihma e parë ku u fashua dhe u qep për dy penj. Mirëpo, zyrtarët e Trepçës të pranishëm aty afër, kishin thënë se ai kishte mashtruar opinionin pasi që kanaçja e kishte goditur në krah. Në konferencën për shtyp një ditë pas ndeshjes, Tovërlani kishte shpërndarë akuza ndaj FFK-së dhe foli me ton kërcënues, duke mos pranuar që ta hiqte kapelën e vendosur për t’ia vërtetuar gazetarëve të pranishëm çarjen e kokës.
Në procedurë disciplinore për dërgimin e informatave shtesë janë përfshirë edhe gjyqtarët si dhe zyrtarët e klubeve dhe ata të sigurisë.