NEROAZZURRI

REUTERS
Interi me karakter
27 September, 2013 @10:27
Inter është dashur të rikthehet në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Fiorentinës për të shënuar fitoren e radhës në Serie A. Fiorentina e udhëhequr nga ish sulmuesi i Romës, Vincenzo Montella, ka kaluar në epërsi në minutën e 60-të të ndeshjes pas penalltisë së shënuar nga Giuseppe Rossi.
Por Interi i ri i Walter Mazzarrit ka treguar shpirt dhe karakter në fushë duke u rikthyer në ndeshje për ta fituar atë në fund.
“Kemi qenë të afektuar pesë minuta nga goli i pësuar, prej atij momenti kemi përjashtuar tensionin nga vetja dhe kemi merituar fitoren. Ka qenë vështirë ndaj një ekipi shumë të fortë dhe cilësor,” ka thënë Mazzarri pas ndeshjes raporton Sky Italia.
“Kemi treguar karakter në fushë dhe shpirt luftarak. Ky Inter nuk do të dorëzohet asnjëherë,” ka shtuar ndër të tjera, Mazzarri.
Tekniku italian që erdhi nga Napoli në Inter gjatë kësaj vere është duke u lavdëruar për shkak të rikthimit të besimit te dy lojtarë shumë të kritikuar stinorin e kaluar: Ricky Alvarez dhe Jonathan.
“Alvarez ka karakteristika gati të njejta si Marek Hamsik, në atë që shoh unë. Pak më shumë besim te vetvetja, do ta bënte atë edhe më të mirë,” ka thënë Mazzarri për argjentinasin që është këndellur tërësisht dhe ka filluar të bart një barrë më të madhe në fushë për ekipin e tij.
Inter aktualisht gjindet në pozitën e dytë të Serie A-së me dy pikë më pak se Roma perfekte, sa kanë edhe Napoli e Juventusi. Skuadra neroazzurre në pesë xhirot e para të kampionatit italian ka pranuar vetëm dy gola: një nga Juventus dhe një mbrëmë nga Fiorentina.
Ndërsa që beteja e mbrëmshme ka qenë me të vërtetë futboll i mirë e ka konfirmuar edhe trajneri i ekipit vjollcë, Vincezno Montella, në deklaratën e tij. “E vetmja gjë që nuk më ka pëlqyer në ndeshje ka qenë rezultati,” ka thënë ai.
FAKT:
Fiorentina nuk ka fituar asnjë ndeshje në Giuseppe Meazza që nga viti 2000. |