BESIKTAS-GALATASARAY

Screen Shot
Shqiptohen dënimet
27 September, 2013 @9:23
Incidenti që ndodhi në ndeshjen Besiktas-Galatasaray, kur tifozët hynë në fushë për t’u ndërprerë ndeshja vetëm disa sekonda para përfundimit të saj, ende po jehon në Turqi.
Ndërkaq, Federata e Futbollit të Turqisë duke mos ndejtur bosh, ka caktuar dënimet për të ndëshkuarit e asaj ndeshjeje si dhe për hyrjen e tifozëve në fushë.
Kështu, mesfushori brazilian i Galatasarayit, Felipe Melo është suspenduar për dy ndeshje moslojë (+5’000€), për shkak të kartonit të kuq, pas një fauli. Slaven Bilic, trajneri kroat i Besiktasit, nuk do të qëndrojë në bankën e bardhezinjëve për tre ndeshje (+5’000€), për shkak të kartonit të kuq të marrë nga fyerjet drejtuar referit kryesor.
Ndërsa Besiktasi si klub, nuk do të mund të llogaris në përkrahjen e tifozëve në katër ndeshjet e radhës si vendas.
Sa i përket ndeshjes, atë pritet ta merr Galatasarayi në tavolinë, mirëpo ende një gjë e tillë nuk është zyrtarizuar.
I tërë incidenti plasi kur tifozët e Besiktasit hynë në fushë, pasi që Felipe Melo morri kartonin e kuq dhe u fjalos me disa lojtarë të Besiktasit e referin e ndeshjes. Në momentin që reagoi trajneri i Besiktasit, Bilic dhe referi e ndëshkoi edhe atë me karton të kuq - tifozët ‘u çmendën’ dhe pushtuan fushën duke mos mundur të ndalen nga qindra policë dhe sigurimi i stadiumit.
Në atë moment Galatasaray ishte duke udhëhequr 2-1 me golat e Didier Drogbës, që riktheu epërsinë për kuq-e-verdhët, të cilët ishin në disavantazh pas golit të Hugo Almeidas.
Ndërprerja ndodhi në minutën e 93-të, derisa referi kishte paraparë 94 minuta lojë.