REKORDI

REUTERS
Roma historike
26 September, 2013 @9:48
Fitorja e mbrëmshme ndaj Sampdorias si mysafir për Romën ka qenë historike ngase kjo është fitorja e pestë me radhë për klubin gialloross në fillim të kampionatit dhe këtë gjë nuk e ka bërë asnjëherë në histori të saj.
Mirëpo, ky fakt nuk i lë aspak përshtypje trajnerit të romakëve, Rudi Garcia. Françezi 49 vjeçar që në pesë vitet e fundit ka udhëhequr Lille-in ka thënë se nuk i intereson kjo punë.
“Jemi në libra të historisë? Me rëndësi është që të bësh histori në fund të stinorit, jo tani,” ka thënë trajneri Garcia për Sky Italian.
“Thjesht, nuk është me rëndësi asnjë lloj rekordi. Me rëndësi është që ia kemi nisur mirë kampionatit dhe krejt më e rëndësishmja është fitorja. është mjaft vështirë që të arrihen pesë fitore në pesë xhirot e para dhe ne jemi të lumtur me rezultatet e arritura deri më sot. Meritat për këto rezultate duhet të shkojnë te lojtarët e mi, pasi që kam ekip fantastik,” ka shtuar mes të tjerash Garcia.
Roma mposhti mbrëmë Sampdorian si mysafir 2-0. Romakët u hapën në pjesën e dytë të ndeshjes, pas barazimit 0-0 në pjesën e parë. Mehdi Benatia shënoi për 1-0, derisa i ardhuri nga Arsenali, Yao Gervinho, shënoi për 2-0 dhe fitoren e pestë të romakëve në kampionat.