PARA DUELIT HISTORIK

Foto: KFMalisheva/fb
Malisheva gati për Superligë, e pret kampionen
19 August, 2021 @0:00
Ëndrra e Malishevës u bë realitet dhe tashmë kanë mbetur edhe shumë pak ditë derisa futbollistët e ekipit të dalin për herë të parë në histori të klubit në një ndeshje të Superligës.
Malisheva pret kampionen aktuale të Kosovës, Prishtinën, në xhiron e parë të stinorit të ri të Superligës, ndërsa ekipi i drejtuar nga trajneri Arsim Thaçi kërkon që Liman Gegaj të jetë në kapacitet të plotë (sa lejojnë masat anti-covid) për të përkrahur heronjtë e qytetit në përballjen e parë të tyre të stinorit historik.
Në anën tjetër, Prishtina hyn në këtë ndeshje si kampione aktuale, ndërsa ekipi i Zekirija Ramadanit është i demoralizuar pas disfatës së regjistruar në Superkupë nga Llapi.
Gjithashtu, te Prishtina do të mungojnë dyshja Betim Halimi dhe Endrit Krasniqi — të dy të skuqur në Superkupë.
Ndërsa Malisheva për të interesuarit për të blerë bileta ka bërë të ditur se deri të dielën në ora 15:00 biletat për ndeshje ndaj Prishtinës do të mund të blihen në librarinë Liburnia, kurse pas asaj ore në hyrje të stadiumit.
Ndeshja Malisheva-Prishtina do të luhen më 22 gusht me fillim prej orës 17:00.