ALAVES-MALAGA
Me 4 ndeshje i nxjerr nga zona e rrezikshme
21 December, 2017 @23:18
Trajneri i ri i Deportivo Alavesit, Abelardo, me katër ndeshje të zhvilluara me ekipin e tij të ri, ka arritur të nxjerrë skuadrën nga fundi i tabelës për t’i çuar mbi zonën e rrezikshme.
Udhëtimi i ëndrrave për Abelardon ka nisur në përballje ndaj Getafes (2-3, si mysafir) dhe ka vazhduar me Las Palmasin (2-0, në shtëpi). Më pas disfatë nga Ateltico Madridi (1-0, si mysafir), për të ardhur fitorja e tretë sonte në katër ndeshjet e para të tij si trajner në La Liga ndaj Malagës 1-0.
Ka qenë ish-lojtari i Barcelonës, Munir El Haddadi, që ka vendosur takimin e sotëm me golin e tij të shënuar në minutën e 60 të ndeshjes, që i dha fitoren Alavesit, për të cilët Abelardo është trajneri i tretë i stinorit, pas shkarkimit të Gianni de Biasit në fund të nëntorit.
Alaves pas 17 xhirove të zhvilluara tash ka pesë fitore dhe me 15 pikë ka arritur që së paku sonte të dalë nga zona e rrezikshme e klasifikimit të La Ligas.