NË SKENDERAJ
Me Arifajn në formë, Drenica kërkon ngritje
28 September, 2016 @10:38
Futbollistët e Drenicës janë në formë të mirë, pas fitores ndaj Ferizajit si mysafir xhiron që shkoi, mirëpo kësaj radhe para tyre kanë Trepçën’89, që po duket e pandalshme këtë stinor, me 5 fitore nga 6 ndeshjet e para të stinorit.
Granit Arifaj është në formë të shkëlqyer dhe ka treguar se nuk i fal rastet që i ipen në lojë, e Drenica e drejtuar nga Afrim Jashari, dëshiron të ngritet në tabelë sot.
Në anën tjetër, ‘89-shi që ka 15 pikë dhe është një pikë larg lideres, Prishtina, nuk guxon të gabojë. Ekipi tani po drejtohet nga drejtori sportiv, Veton Çitaku, pasi që trajneri Bekim Shotani u largua.
Sulmuesi nigerian i ekipit, Otto John, ka treguar se di të jetë shumë i rrezikshëm pranë portave kundërshtare, ndërsa kur kihet parasysh mesfusha nga Shpëtim Idrizi me përvojë, mundësitë e gjelbërezinjëve shtohen edhe më.
Gjithçka vendoset sot. Ndeshja nis në ora 15:00 dhe luhet në “Bajram Aliu” të Skenderajt.