AMIR RRAHMANI
Me seriozitet në fushë, mund t’i marrim pikët
14 November, 2018 @21:44
Qendërmbrojtësi më në formë i Kosovës aktualisht, Amir Rrahmani, ka qenë i kujdesshëm në deklaratën e tij para fluturimit për Maltë.
Njeriu që është bërë standard te Dinamoja e Zagrebit dhe që ka arritur të sigurojë pranverën evropiane me ekipin e tij, ka thënë se ekipi mund të fitojë këtë ndeshje, vetëm nëse i qaset me seriozitet duelit.
“Natyrisht se na pret një ndeshje jo edhe aq e lehtë, sepse për asgjë tjetër Malta lufton për prestigj, prandaj ndeshjes do t’i qasemi me plotë seriozitet dhe kështu mund t’i fitojmë tri pikët e nevojshme,” ka thënë Rrahmani.
Kosova luan ndeshjen e parafundit të Grupit 3 të Ligës D të Kombeve ndaj Maltës në udhëtim, ndërsa pas saj pret Azerbajxhanin në Prishtinë.
Nëse Kosova fiton grupin, do të sigurojë Ligën C për herën tjetër. Ndërsa, si fitues i grupit, do të ketë edhe mundësinë që të kërkojë edhe një rrugë për EURO 2020.