SHKËLQIM DEMHASAJ

Foto: via FFK
Pardje telefonata, sot në stërvitje
13 November, 2018 @22:00
Sulmuesi i Luzernit në Superligën zvicerane të futbollit, Shkëlqim Demhasaj, ka pranuar pardje telefonatë nga FFK-ja, ndërsa sonte ka zhvilluar stërvitjen e parë me Kosovën.
Futbollisti i ri në listën e Challandesit që u fut në ekip për shkak të mungesës së Bersant Celinës është shprehur jashtëzakonisht i lumtur me stërvitjen e parë, ndërsa ka treguar se ka parë bashkëlojtarët e tij dhe ka pëlqyer lojën e Kosovës.
“Pardje më kanë telefonuar nga federata dhe menjëherë e kam shprehur gatishmërinë për të ardhur. Këtu më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës. Tash më rëndësi është që ekipi të përgatitet sa më mirë dhe t’i fitojmë 6 pikë, nuk ka fare rëndësi se kush luan, por nëse me jepet rasti si çdo lojtar do ta jap maksimumin. I kam shikuar të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe djemtë kanë luajtur shumë mirë,” ka thënë Demhasaj 22 vjeç që këtë stinor ka shënuar dy gola për ekipin e tij në elitën e futbollit zviceran.
Demhasaj është njëri ndër lojtarët që mund të debutojë për Kosovën në dy përballjet e fundit të saja në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kombeve.
Kosova do të udhëtojë në Maltë për duelin që mund të tregohet vendimtar, ndërsa dueli i fundit i fazës grupore është ndaj rivalit direkt, Azerbajxhanit, në Prishtinë.
Kosova është lidere e Grupit 3 në Ligën D të Kombeve dhe nëse e fiton këtë grup, herën e ardhshme do të jetë pjesë e Ligës C të Kombeve, por edhe do të fitojë rast shtesë për kualifikim në EURO 2020.