CHRISTIAN PANUCCI
Formula e grupeve detyron fitore
Teksti: FSHF
13 November, 2018 @15:12
Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci ka dalë në konferencë për shtyp sot në orën 12:00 në ambjentet e FSHF, ku foli në lidhje me dy ndeshjet e rradhës që do të zhvillojë përfaqësuesja.
Shqipëria do të përballet ndaj Skocisë në datën 17 nëntor ora 20:45, stadiumi “Loro Boriçi”, ndeshje e vlefshme për UEFA Nations League dhe përballja e dytë e kuqezinjve do të jetë miqësorja më 20 nëntor ndaj Uellsit në stadiumin “Elbasan Arena” ora 20:00.
Panucci në fjalën e tij u shpreh:
”Më vjen mirë që shënuan Grezda e Kaçe këtë fundjavë, pasi kanë gjetur motivim. Eros Grezda është më mirë se një muaj më parë, ndërsa Kaçe shënoi në një ndeshje te rëndësishme. Sa i përket ndeshjes në Skoci, nuk luajtëm mirë, vuajtëm agresivitetin. Në shtëpinë tonë do jetë ndryshe. Me Izraelin nuk morëm rezultatin që meritonim. Kemi pësuar gola nga goditjet standarde, për shkak të gabimeve tona. Është shumë e rëndësishme për ne, ndeshja e radhës, për shkak të formulës së grupeve. Gjithashtu është e rëndësishme që të shënojmë. Të vazhdojmë nivelin e lojës që nisëm me Izraelin. Kemi luajtur më mirë edhe sesa në fitoren ndaj Turqisë. Duhet të jemi më të egër dhe të shfrytëzojmë rastet”.
Kuqezinjtë duhet të marrin pikë patjetër në duelin e fundit të grupeve të Ligës C, ashtu që të sigurojnë edhe një vit pjesëmarrjen aty.
Përndryshe, në rast të humbjes ata automatkisht do të jenë në Ligën D të Kombeve herën tjetër.