MIRLIND KRYEZIU
Shpreson në debutim
12 November, 2018 @22:16
Mbrojtësi i ri i Kosovës, Mirlind Kryeziu, që ka marrë ftesën e parë seniore nga Bernard Challandes ka thënë se shpreson në debutim.
Ai ka thënë se ekipi është fokusuar në përballje ndaj Maltës e shpresa është që të festohet në përballjen e fundit, ndaj Azerbajxhanit.
“Jam krenar që jam bashkë me këta lojtarë. Kjo ishte stërvitja e parë dhe ndihem shumë mirë. Stërvitja shkoi super. Ekipi më ka pritur shumë mirë. I njoh disa prej lojtarëve sepse luaj me ta edhe në kampionatin zviceran. Mendoj se mund ta ndihmoj ekipin në repartin defanziv. Debutimi? Shpresoj, por për këtë vendos trajneri. Fokusi njëherë është te ndeshja me Maltën, shpresoj të fitojmë dhe pastaj vijmë në shtëpi dhe të bëjmë festë për kualifikim,” ka thënë mbrojtësi i Zurichut, 21 vjeçari 196 centimetra i gjatë, Kryeziu.
Kosova udhëton në Maltë për ndeshjen e parafundit, ndërsa pret Azerbajxhanin në duelin e fundit kualifikues të Grupit 3 në Ligën D të Kombeve.
Nëse Kosova fiton grupin, do të sigurojë plasmanin në Ligën C si dhe do të ketë mundësinë për t’u kualifikuar në EURO 2020 në fazën finale të playoffit nga Liga e Kombeve në Kampionatin Evropian.