OPINION
Për arratisjet që s’do të ndalen
Shkruan: Luan Morina
13 November, 2018 @19:17
Janë rreth 130 futbollistë me prejardhje kosovare – të gjithë të lirë për të përfaqësuar Kosovën (përfshirë edhe përfaqësuesit aktual), të përfshirë në kategoritë e para të ligave ndërkombëtare në futboll. Në këtë numër nuk janë përfshirë numri i futbollistëve nga ligat tona. Në çdo mbledhje të kombëtareve, janë 23 futbollistë që mund të regjistrohen për një ndeshje ndërkombëtare. Deri tani, së paku 48 futbollistë që janë ftuar për të përfaqësuar Kosovën në ndeshjet zyrtare.
Në mesin e këtyre futbollistëve janë edhe Kastriot Dërmaku dhe Ardian Ismajli. Derisa Kastrioti tashmë ka bërë paraqitjen e parë për Shqipërinë, Ardiani pritet ta bëj këtë gjatë kësaj fundjave, duke zgjedhur përfundimisht që karrierën e tij ta vazhdoj me ngjyrat kuq e zi.
Kjo iu mundësohet pasi FIFA ka rregulloren sipas të cilës futbollistët mund të zgjedhin të luajnë në një përfaqësuese edhe nëse kanë luajtur për ekipet juniorë e më të reja të një përfaqësuese tjetër. Ky rregull nuk ka shumë kohë të gjatë që është ndërruar, pasi që shumica e futbollistëve të përfaqësueseve të reja nuk gjenin vend në përfaqësueset seniore.
As Kastrioti e as Ardiani nuk kanë luajtur ndeshje me përfaqësuesen e parë të Kosovës. Ky i fundit ka qenë ndër lojtarët më kyç tek të rinjtë, derisa Kastrioti pas një sezoni me Cosenzën ka dalë në pah të mediave për formën e tij të mirë në pozitën e qendërmbrojtësit. Kastrioti u mblodh me Kosovën në shtator, pastaj zgjodhi Shqipërinë. Ardiani u mblodh me Kosovën në tetor, kaloi tek të rinjtë e Kosovës për të mos ‘shkrepur’ paraqitjen e parë që do ta linte jashtë Shqipërisë. Tani është ftuar tek Shqipëria.
Dërmaku nuk ka përmendur ndonjë arsyetim, kurse Ismajli ka zgjedhur të përdor kanalet mediale për të ‘shpjeguar’ e ‘arsyetuar’, përzgjedhjen e tij. Ka pasur edhe lojtarë tjerë që kanë sinjalizuar ‘kalime’ të këtilla. Por, derisa kalimet, përzgjedhja, është e lirë dhe, sipas vështrimeve të ndryshme edhe normale; arsyetimet shpesh dalin të jenë banale.
I tillë ishte edhe arsyetimi i Ardian Ismajlit, dhe ‘sinjalizimet’ tjera paraprake e ato që do të vijojnë (sigurisht që do të kemi të këtilla). Kjo kolumne, nuk ka të bëjë direkt me shkrimin e Ismajlit, por me këtë zakon të cilin e përdorin shumica e lojtarëve që provojnë të arsyetojnë veprimet e tilla.
Se kë zgjedhin, është krejt problem i tyre. Por, arsyetimet të stilit turbofolk, për kinse ‘bashkim kombëtaresh’ e patriotizëm, janë një ‘tentim i tepërt’ për tu shfajësuar. Po të ndodhte një gjë e këtillë, këta futbollistë s’do të gjenin as vendin e rezervave me formën aktuale. Sigurisht që forma mund të ndryshojë, dhe të bëhen edhe më të mirët e Evropës. Por, për momentin janë vetëm rezerva të ekipeve të tyre, të cilët nuk meritojnë një vend para tjerëve në kombëtaren e Kosovës.
Në vend të punës dhe angazhimit në ekipet e tyre, në vend të durimit dhe përgatitjes, ata zgjedhin rrugën më të lehtë me konsekuenca afatgjate. Në këtë rast ata zgjedhin një kombëtare e cila ka dy gola, një fitore, dhe katër pikë në vitin e fundit jokalendarik, para një kombëtareje që nuk ka humbur asnjë ndeshje në trembëdhjetë muajt e fundit. Sot, ata zgjedhin një kombëtare më të dobët se Kosova! Dhe nëse kjo dëshmon më së miri kualitetin e tyre momental!
Kosova është e madhe, me futbollistë të aftë të mbulojnë secilën pozitë, në secilën kohë. Me pak pjekuri dhe punë, do të bëhemi edhe më të mirë. Kontributi i secilit për shtetin, për vendin, është i shenjtë. Dhe falë Zotit, kemi shumë djem e vajza të cilët çdo ditë i japin jehonë këtij vendi me sukseset e tyre; me këtë himn e flamur.
Për fund, do e citoja karakterin e Al Pacinos tek Godfather, me adaptimin e dy prej thënieve të tija në lidhje me këtë temë, në një paragraf të vetëm.
“Veç mos na thoni që e bëni për patriotizëm. Sepse kjo na e ofendon inteligjencën dhe na inatos. Tregoni që nuk është për ‘ide të mëdha’, thjesht biznes (vend startues).”
(Sqarim: Opinioni nuk paraqet qëndrimin e redaksisë.)