VALON BERISHA
Varet nga mentaliteti
13 November, 2018 @21:52
Njeriu që pritet të merr shiritin e kapitenit të Kosovës në përballjet vendimtare të reprezentacionit në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kombeve, Valon Berisha, pas stërvitjes së sotme me skuadrën ka thënë se dueli ndaj Maltës është i vështirë shumë.
“Kemi lojtarë shumë të mirë dhe po përgatitemi mirë, mirëpo sigurisht se kemi dy ndeshje shumë të vështira para vetes, sidomos kjo kundër Maltës. Shumëçka do të varet nga mentaliteti ynë në këto dy ndeshje. Ne kemi cilësi si ekip dhe me individë shumë të mirë dhe do të shkojmë me synimin për të dhënë 100 përqindshin për njëri-tjetrin dhe për Kosovën,” ka thënë mesfushori i Lazios, shkruan faqja zyrtare e FFK-së.
Kosova do të udhëtojë në Maltë për duelin që mund të tregohet vendimtar, ndërsa dueli i fundit i fazës grupore është ndaj rivalit direkt, Azerbajxhanit, në Prishtinë.
Kosova është lidere e Grupit 3 në Ligën D të Kombeve dhe nëse e fiton këtë grup, herën e ardhshme do të jetë pjesë e Ligës C të Kombeve, por edhe do të fitojë rast shtesë për kualifikim në EURO 2020.