HEKURAN KRYEZIU
Synim, pikët
14 November, 2018 @21:39
Njëri ndër mesfushorët më stabil që ka Kosova, Hekuran Kryeziu, pas mungesës në përballjen e fundit ndaj Ishujve Faroe për shkak të kartonëve, pritet të jetë në formacionin bazë të Bernard Challandes për ndeshje ndaj Maltës.
Kosova udhëton për fitore dhe këtë e thotë edhe Kryeziu. Në deklaratën e tij pas stërvitjes së fundit me Kosovën në Fadil Vokrri ai është dukur të jetë i bindur për këtë.
“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë, por ne shkojmë atje për tri pikë. Mbase duhet shikuar se çfarë po bën Azerbajxhani, por kjo nuk duhet edhe shumë të na interesojë, pasi synimi ynë janë tri pikët dhe jemi favoritë në grup dhe të ecim tutje,” ka thënë Kryeziu.
Kosova luan ndeshjen e parafundit të Grupit 3 të Ligës D të Kombeve ndaj Maltës në udhëtim, ndërsa pas saj pret Azerbajxhanin në Prishtinë.
Nëse Kosova fiton grupin, do të sigurojë Ligën C për herën tjetër. Ndërsa, si fitues i grupit, do të ketë edhe mundësinë që të kërkojë edhe një rrugë për EURO 2020.