KTHEHET MESFUSHORI
Mërgim Pefqeli i gatshëm pas operimit
14 March, 2017 @14:51
Mesfushori i Prishtinës, Mërgim Pefqeli, shumë shpejt pritet të kthehet në fushën e gjelbër dhe t’i ndihmojë ekipit të tij të fëmijërisë.
Kjo, pasi që lojtari në fjalë ka kaluar tashmë fazën rehabilituese pas operimit që zgjati mbi 3 muaj.
“Deri tani janë bërë tre muaj e gjysmë nga operimi. Sigurisht se ka qenë shumë vështirë, sepse ishte hera e parë që hyja në ndonjë operim dhe nuk isha mësuar asnjëherë me asnjë lëndim. Dhe, i falënderohem shumë klubit për të gjithë ndihmën, si ajo financiare deri te qëndrimi pranë meje. Po ashtu jam mirënjohës i falënderoj dy fisioterapeutët e klubit, Oktay Altun dhe Alban Llumnica dhe Ervin Megjikukiqin i cili po ashtu më ka ndihmuar. Si dhe stafit të “Spitalit Amerikan” dhe doktorit, Florin Ramadanit. Shpresoj të mos kem më kurrë ndonjë lëndim tjetër”, ka thënë Pefqeli për faqen zyrtare të Prishtinës.
Ai është ftuar nga Lutz Lindemann për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës ndaj Besës që zhvillohet nesër në “Shahin Haxhiislami” me fillim prej orës 13:00.