ANALIZA
Mobilizim gjerman
Shkruan: Luan MORINA
27 August, 2016 @13:45
Nëse diçka do të mund të mësojmë një gjë nga periudha e Carlo Ancelottit në Bayern, atëherë ai është fakti që Pep Guardiola është trajner i mbivlerësuar. Një ego-maniak që provon të bëj të vetëm, të dallohet nga të tjerët dhe në fund të mbetet vetëm kampion i Gjermanisë, diçka që në Bayern do të mund ta arrinte edhe Ismet Munishi.
Ajo çfarë pamë nga ndeshja e parë e sezonit ishte një Bremen i dobët, por mbi të gjitha pamë edhe qetësinë dhe thjeshtësinë e Ancelottit. Të mos harrojmë periudhën e tij në Chelsea e Real Madrid kur arrinte të shënonte mbi 100 gola në sezon. Nuk e ka sefte që nis sezoni me gjashtëshe. S’do të jetë as sefte që vazhdon. Ajo për çfarë është sjell Ancelotti në Bayern nuk përfshihet në këtë kolumne. Kjo është për Bundesligën.
E sivjet, Bundesliga do të duhet të jetë më shumë se vetëm një luftë për pozitën e tretë apo të katërt. Nëse asgjë, së paku s’do të duhej të kishte dy distanca të thella në renditje Bayerni – shumë pikë – Dortmundi – shumë pikë – tjerat.
Dortmund ka bërë shumë blerje dhe pothuajse të gjitha me vend. Lojtarë të talentuar kanë ardhur, por megjithatë nuk ka diçka të sigurt në mbrojtje. Sokratis dhe Bartra do të jenë karrem i lehtë për çdo harkim të mençur, pa përjashtuar edhe ata të Abates. Pjesa tjetër e fushës është e përkryer.
Leverkurseni ka vazhduar me Bellarabin e Wendelin, derisa ka marrë pak veta që i nevojiten. Gjithashtu ju nevojitet një trajner i ri. Më i zoti. Monchengladbach ka zëvendësuar mesfushën pas largimeve të verës me lojtarë që mund të kryejnë punë. Për më tepër, janë të talentuar dhe të gatshëm për të marr timonin në duar qysh këtë sezon.
Më së miri nga këto ekipet tjera më duket se ka punuar Schalke. Kanë huazuar disa talente të dorës së dytë, kanë blerë ato që ju nevojiten më së shumti. E nëse arrijnë të nxjerrin nga hija talentet që kanë, mund të kenë një sezon të mirë. Wolfsburg është dëmtuar, dhe për çudi jo nga Bayerni!
Ekipet tjera me emër si HSV e Bremen do të kenë të vështirë të ngjiten në pjesën e parë. Leipzigu i shumëpritur do ta ketë të vështirë mbijetesën.
Pra, ka një mobilizim tek ekipet që do të luftojnë për Evropë. Bayerni e Dortmundi megjithatë mbeten një shkallë më lartë dhe vetëm angazhimi në Evropë mund ti lëndoj ata në ligë. Shpresojmë së paku të jenë në luftë ndërmjet vete. Të tjerat vështirë e kanë t’i kapin.