REKORDERI

FSHF
Ndeshje e zakonshme
1 June, 2013 @21:04
Sulmuesi shtatëgjatë i Sienës, Erion Bogdani, në një intervistë të dhënë sot për të përditshmen tiranase, Panorama Sport, ndërmjet tjerash ka shtuar se ndeshja ndaj Norvegjisë nuk duhet shikuar si ndeshje për jetë-a-vdekje, por si një ndeshje krejtësisht e zakonshme.
“Do të jetë ndeshje shumë më e vështirë se ajo në Oslo. Norvegjia do të vijë me ide të qarta, duke mos na nënçmuar si në ndeshjen e parë. Ne duhet të luajmë shumë më mirë se në ndeshjen e kaluar për të arritur sukses. Nuk është ndeshje finale. Kemi edhe ndeshja tjera pas kësaj. Nuk është ndeshje për jetë-a-vdekje, por si një takim i zakonshëm,” ka thënë 36 vjeçari për gazetën në fjalë.
Erion Bogdani është gjithashtu shumë afër thyerjes së edhe një rekordi me kombëtaren. Pasi që u bë golashënuesi më i mirë i kombëtares me 19 gola të shënuara deri më tani, ai do të mund të bëhet edhe futbollisti me më së shumti paraqitje për kombëtaren, pasi që është akivizuar në 76 ndeshje me Shqipërinë deri më sot. Më shumë ndeshje se Bogdani kanë vetëm Klodian Duro dhe Altin Lala, 78, respektivisht 79. E deri në fund të këtyre eliminatoreve Bogdani ka gjasa të paraqitet edhe pesë herë për përfaqësuesen kuqezi.