ARNE SLOT
Në debutim i zhgënjyer me kreativitetin e ekipit
23 July, 2021 @8:00
Derisa Drita arriti barazim historik ndaj Feyenoordit mbrëmë, as në anën tjetër nuk është shumë lehtë të kapërdihet ky rezultat.
Ka qenë e vështirë për trajnerin e ri të Feyenoordit Arne Slot që në debutim të mos arrijë të shënojë ndaj një ekipi si Drita, ndërsa ai ka shprehur zhgënjimin e tij me mundësitë për zgjidhje të lojës përkundër se posedimi ka qenë i lartë.
“Ka qenë shumë vështirë. Kemi pasur topin thuajse gjatë gjithë kohës dhe kemi bërë 3-4 raste. Kjo nuk është mirë, kjo është zhgënjyeshëm shumë pak,” ka thënë Slot.
“Gjithmonë na është dashur të kalojmë të 11 lojtarët e mbledhur në mbrojtje, me të cilin ekipi ka problem. Por u vërejt mungesa e kreativitetit te ne,” ka shtuar Slot.
Sa i përket lojës tjetër ai pret t’i kthehet Alireza Jahanbakhsh për t’i shtuar kreativitet sulmit dhe për të “shpuar” portën e gjilanasve në Rotterdam.
“Ka mundësi që Alireza mund të luajë një pjesë në ndeshjen e radhës. Kjo mund të ndihmojë, pasi që kreativiteti i tij mund të gjejë rrugë për topin në hapësira të vogla,” ka thënë në fund Slot 42-vjeç.
Dueli i kthimit i raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, tash mes Feyenoordit dhe Dritës luhet më 29 korrik me fillim prej orës 20:00 në “de Kuip”.