BRAZILI
Në gjysmëfinale, me golat e mbrojtësve
4 July, 2014 @23:44
Përfaqësuesja nikoqire e Kampionatit Botëror, Brazili, ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale. Kampioni i pesëfishtë i Botës shënoi fitore në çerekfinale ndaj Kolumbisë me rezultat 2-1, falë golave të qendërmbrojtësve.
Thiago Silva ishte i pari i cili e prishi baraspeshën në rezultat duke shënuar në minutën e shtatë për epërsinë 1-0 të Brazilit, e që ky ishte edhe goli i vetëm i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, partneri i tij në qendër të mbrojtjes, David Luiz, e dyfishoi rezultatin në minutën 69’ të ndeshjes.
E gjitha çka mundi të bëjë Kolumbia deri në fund ishte ngushtimi i disavantazhit me anë të golit të James Rodriguezit, i cili shënoi nga penalltia në minutën 80’.
Brazili në gjysmëfinale do të përballet me Gjermaninë, e cila sot e mposhti Francën me rezultat minimal 1-0.