APLIKIMI I PARË
3 shtete jugamerikane, aplikojnë për Botërorin 2030
5 October, 2017 @9:03
Janë bashkuar tre shtete të njohura për futbollin e tyre të Amerikës Jugore dhe kanë dorëzuar edhe formalisht aplikacionin e tyre për të organizuar Kampionatin Botëror 2030 në futboll.
Argjentina, Uruguaji dhe Paraguaji, në marrëveshje mes veti kanë ndarë stadiumet dhe rëndësitë e ndeshjeve për të kërkuar nga FIFA aminin për Botërorin 2030, derisa Paraguaji e Urugaji kanë aplikuar me 2-3 e Argjentina me 6-8 stadiume.
“E dimë se janë edhe vende tjera të interesuara për organizim, por 100 vjetori i organizimit të Kampionatit Botëror të parë në Uruguaj, e bën këtë regjion një aplikim atraktiv,” ka thënë kryetari i Paraguajit, Horacio Cartes, transmeton Eurosport.
Uruguaji ka fituar titullin e Kampionit të Botës në Montevideo në vitin 1930 të organizuar nga vetë Uruguaji, duke e mposhtur Argjentinën në finale 4-2.
“Ideja erdhi nga Uruguaji dhe na ka marrë vetëm 40 sekonda kohë për të thënë po,” ka shtuar kryetari i Argjentinës, Mauricio Macri.
Deri më tani, përveç vendeve të lartpërmendura, zyrtarisht nuk ka dorëzuar aplikimin asnjë vend për organizimin e Botërorit 2030, edhepse është folur për interesimin e Kinës.
Rusia do të jetë nikoqire e Botërorit të ardhshëm 2018, ndërsa në vitin 2022 Kupa e Botës organizohet nga Katari.
Për vitin 2026, ende nuk është vendosur.