SHPËRBLIMET
Mbi gjysmë milioni shpërblime për Trepçën ‘89 e Prishtinën
4 October, 2017 @16:32
Në konferencën e sotme për shtyp të mbajtur nga Federata e Futbollit të Kosovës, Trepça ‘89 e Prishtina pranuan shpërblimet e tyre në vlerë monetare pas triumfeve në sezonin përkatës si dhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
Trepçës’89 iu dorëzua çeku prej 480 mijë eurove, derisa Prishtinës çeku prej 215 mijë euro.
Gjithashtu, u bë e ditur se edhe në të ardhmen skuadra kampione do të shpërblehet me 260 mijë euro, derisa për pjesëmarrje në fazën e parë të kualifikimeve edhe me 220 mijë euro, që do të thotë kampioni i ka të sigurta 480 mijë euro. Fituesit të Kupës do t’i takojnë 215 mijë euro, ndërsa këtë vit ky shpërblim shkoi për klubin e Prishtinës, pasi që Besa, fituesja e Kupës, nuk ishte e licencuar në UEFA dhe kjo bëri që nënkampioni i Kosovës, Prishtina, të jetë pjesëmarrës në garat evropiane, përkatësisht Europa League.
Përveç ndarjes së çeqeve, në konferencën e sotme u diskutua edhe për renovimin e stadiumit të Prishtinës, që duhet të jetë i gatshëm deri në muajin mars, në mënyrë që Kosova kualifikimet e ardhshme t’i luaj në Prishtinë, ndërsa gjithashtu presidenti Vokrri bëri të ditur që Federata është në negociata për ta organizuar një miqësore për përfaqësuesen e Kosovës gjatë muajit të ardhshëm në Mitrovicë.