PARA UKRAINËS
Reprezentacioni arrin në Shkodër
4 October, 2017 @22:05
Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar sot stërvitjen e dytë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, derisa në orët e pasditës ka udhëtuar drejt Shkodrës, ku edhe është akomoduar në hotel “Colosseo”.
Edhe në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Albert Bunjaki, me ndihmësit e tij ka punuar në fazën mbrojtëse, ku ka kërkuar nga lojtarët që ta kenë vëmendjen në çdo top të kundërshtarit, pasi Ukraina njihet si skuadër që ka shpejtësi në lojë dhe i duhet pak hapësirë për të të ndëshkuar.
Në stërvitjen e sotme grupit iu ka bashkuar edhe kapiteni Samir Ujkani, derisa disa shqetësime të vogla kanë pasur Bledar Hajdini, Besar Halimi dhe Ardin Dallku, por që sipas stafit mjekësor nuk bëhet fjalë për lëndime serioze.