EUROZONA: WORLD CUP PLAYOFF
Nesër shorti i barazhit për “Rusia 2018”
16 October, 2017 @11:58
UEFA ka përcaktuar ekipet që do të futen në vazon e bartësve dhe jobartëse, për të tërhequr shortin e barazhit për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare UEFA ka bërë të ditur se në vazon bartëse zënë vend: Zvicra (e 11-ta në renditjen e FIFAs), Italia (15), Kroacia (18) dhe Danimarka (19).
Ndërsa në vazon jobartëse bëjnë pjesë: Irlanda Veriore (23), Suedia (25), Irlanda (26) dhe Greqia (47).
Në short, një ekip nga vazoja jobartëse ndeshet me një ekip nga vazoja bartëse.
SHORTI dhe të KUALIFIKUARIT NGA EUROPA
Shorti hidhet nesër në Cyrih me fillim në ora 14:00, ndërsa ndeshjet e para luhen me datat 9-11 nëntor, e ato të kthimit pas tre ditëve më 12-14 nëntor.
Fituesit e dueleve të barazhit do të sigurojnë biletën për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” dhe kështu do t’i bashkohen ekipeve tjera europiane: Rusia (direkt e kualifikuar si organizatore), Franca, Portugalia, Gjermania, Serbia, Polonia, Anglia, Spanja, Belgjika dhe Islanda.