RIO 2016 - FUTBOLL
Neymar në histori, Brazili në finale
17 August, 2016 @19:49
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale të futbollit në ‘Rio 2016’, nikoqiri i turneut pa probleme e ka mposhtur përfaqësuesen e Hondurasit, në një takim ku goli i epërsisë erdhi pas vetëm 14 sekondave, një rekord i ri ky në Lojërat Olimpike, i cili që nga sot e mban emrin e brazilianit Neymar.
Pas golit që hyri në histori, Brazili shënoi edhe pesë herë të tjera. Dy gola u shënuan nga anëtari më i ri i Manchester Cityt, Gabriel Jesus, kurse tri të tjerat nga Marquinhos, Luan dhe Neymar në fund nga pika e bardhë, për ta përmbyllur kështu takimin me 6 gola të shënuara.
Në finale, Brazili pret fituesin e takimit mes Nigerisë dhe Gjermanisë, takim i cili zhvillohet sonte me fillim nga ora 21:00.