KOLUMNE
Nga Anamorava në Shkup, derbi
Shkruan: S. T.
25 February, 2017 @9:05
Tashmë pritjes po i vie fundi. Rikthimi i fazës pranverore të “Superligës së Kosovës” sjell në pah derbin e shumëpritur të rajonit të Anamoravës dhe më gjerë: Gjilani - Drita. Vigjilja e kryendeshjës së javës së 18-të të Superligës ka filluar tash e sa kohë. Ky fakt nuk përbën më lajm. Jemi të gjithë koshientë se si kjo përballje madhërohet dhe lartësohet nga ana e dyja taboreve të tifozërive. Atmosfera unike dhe rivaliteti i përbetuar në brendësi të qytetit është karakteristika më pikante që e veçon këtë derbi nga të tjerët në Kosovë.
Elozhet e njëjta nuk mund të thurren edhe për atë që dy skuadrat e Gjilanit kanë demonstruar në fushë në ndeshjet direkte gjatë viteve të fundit. Nuk është që kemi parë futboll kushedi sa kualitativ. Detajet e vogla i kanë vulosur epiloget finale. Ajo çfarë ka munguar ka qenë volumi i lojës, rastet për gola dhe pasimet e sakta.
Gjithsesi, si FC Drita ashtu edhe KF Gjilani kanë gjetur eliminimin nga “DigitAlb Kupa” gjatë mesjavës ndaj KF Besës, respektivisht KF Ferizajt. Kjo ka bërë që i gjithë koncentrimi të zhvendoset në 16-të javët e mbetura të kampionatit dhe me theks të veçantë në derbin e fundjavës.
Megjithatë, si vijnë dy ekipet në këtë derbi?
-Duhet thënë që gjatë fazës së pauzës së kampionatit dhe parapërgatitjeve për pjesën e dytë të stinorit, si njëra ashtu edhe skuadra tjetër kanë kaluar në dy situata krejtësisht të ndryshme. Gjersa FC Drita përforcohej çdo ditë e më shumë me lojtarë të rinj, KF Gjilani përballej me një krizë të rëndë financiare dhe me një protestë të zëshme të tifozërisë që kërkonin shkarkimin e kryesisë. Dorëheqja e saj do të vinte më 19 janar, në të cilën datë “Skifterat” do ta kumtonin edhe lajmin në fjalë për opinion e gjerë.
Pavarësisht të gjitha problemeve që hasen në dy muajt e parë të post-fazës vjeshtore kampionale, KF Gjilani arriti ta mbajë bërthamen e ekipit duke i blinduar lojtarët kyç, në përjashtim të Faton Malokut i cili u rikthye tek kampioni në fuqi Feronikeli, si dhe Kreshnik Nebihut dhe Dren Gashit: -i pari u largua në drejtim të KF Drenicës, kurse i dyti zgjedhi rivalin e përbetuar, FC Dritën. Kurse sa i përket këtij derbi, Arbnor Morina do të ketë në dispozicion organikën e plotë - përfshirë katër lojtarët që u helmuan gjatë mesjavës sikurse: Eminhaziri, Thaqi, Kaqiu dhe Ahmeti.
FC Drita e Ismet Munishit ndoshta dhimbjen më të madhe nuk e përjetoi nga humbja ndaj KF Besës në Kupë, por nga humbja e dy lojtarëve me peshë të veçantë si Nderim Nexhipi dhe Taulant Haliti - të cilët u lënduan në minutat e fundit të ndeshjës në Pejë. Nuk ka akoma asgjë të konfirmuar rreth rikuperimit eventual të dyshës në të cilën shtabi teknik i FC Dritës llogaritë shumë.
Nëse për Ismet Munishin kjo është eksperienca e parë në derbi, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Arbnor Morinën - i cili i ka përjetuar në dy stolet ndjesitë e kësaj sfide dhe shquhet për dhuntinë që e karakterizon në triumfimin në këto ndeshje.
FC Drita me një fitore eventuale do ta rikthente vetbesimin për rezultate pozitive dhe do të fillonte t’i arsyetonte shpenzimet dhe organizimin dinjitoz të bërë me muaj të tërë nga kryesia e klubit. Evitimi i barazhit pritet të jetë objektivi kryesor i ekipit gjilanas. Mund të hasin në shumë pengesa deri atëherë, mirëpo i kanë të gjithë premisat dhe predispozitat e duhura për ta siguruar një gjë të tillë.
Ndërkaq ekipit “kuq e bardh” nuk është se i kanë mbetur ambicie të mëdha para vetës pas eliminimit nga Kupa. Fitorja në këtë derbi ndoshta do ta arsyetonte disi ecurinë e kësaj sezone para tifozëve të tyre.
Sidoqoftë, ata që janë garancë e madhe për një spektakël grotesk janë dy grupimet e tifozërive, “Intelektualët” dhe “Skifterat”. Koreografitë, brohoritjet, koret dhe mbipopullimi i dy anëve të stadiumit me dy ngjyrat e skuadrave përkatëse, do të jetë shija më e mirë nga ky derbi.
Megjithëse, si ne dhe ashtu edhe vet tifozët e dy skuadrave respektive, do dëshironim që më në fund në derbin e Anamoravës të rishihnim lojë cilësore që do t’i arsyetonte pritshmëritë e dashamirëve të Superligës në përgjithësi.
Të dielën të gjitha këto dilema do të shuhen me të filluar derbi në ora 13:00. Deri atëherë ne mbetemi entuziastë (dhe ndoshta paksa edhe euforikë) për atë që konsiderohet si panorama dhe kartolina më e bukur e futbollit të Kosovës në vitet e fundit.
PËRTEJ GRYKËS
Por, a është ky i vetmi derbi që futbolli mbarë-shqiptar pritet ta ketë në “ofertën” e tij për këtë fundjavë? -Përgjigja është: -natyrisht se “jo”.
Në vendin tonë nuk është se po flitet shumë që jemi në javën e kryendeshjës së kampionatit maqedon ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës. Mirëpo, ky është një derbi me rëndësi jetike për klubin nga Tetova që në dy përballjet e fundit direkte me Vardarin ka dalur kokëulur duke i humbur me rezultat të thellë madje, sado që ato nuk ishin tregues i drejtë i lojës së zhvilluar në fushë, mirëpo shkaktuan plagë të thellë në klubin “kuq e zi”.
Ky derbi gjatë viteve të fundit ka marrë edhe dimensione patriotike dhe kombëtare. Polemikat në mes të dy kryesive të trashëguara nga fundi i edicionit të kaluar, kanë reflektuar edhe tek publiku që vetëm sa e ka shtuar urrejtjën për skuadrën rivale. Sado që tonet janë ulur nga dy kampet, tifozët vazhdojnët të jenë të zhurmshëm. Dhe, për të shmangur ndonjë konflikt apo përplasje eventuale, në ambientet e Federatës maqedone të dyja klubet kanë arritur akord që të mos ketë udhëtim të tifozave mysafir në Shkup. Pra, stadiumi i tëri do të jetë me mbështetësit e Vardarit.
Pasi që drejtuesit e Shkëndijës gjatë muajit tetor shkarkuan trajnerin Akrapoviç si pasojë e rezultateve të dobëta, në fillim të janarit zytarizuan ish-sulmuesin gjerman, Tomas Brdariç. Afrimi i tij i bujshëm në klubin tetovar e ka ndihmuar skuadrën që gjatë afatit kalimtar të janarit të përforcohet me lojtarët si: Mjedoviç, Çolak, Çelikoviç dhe me lojtarin që është pritur me pompozitet të madh mediatik në Tetovë dhe jo vetëm, Besart Abdurahimin.
Me gjithë këtë vazhdimësi të organizimit brilant në klubin “kuq e zi”, premisat si çdo herë janë për një triumf. Mirëpo, ekzaltimi dhe euforia gjithmonë i ka kushtuar rëndë ekipit shqiptar. Derbi i fundit i fituar daton më 2 dhjetor, 2015. Gjithë ky “agjërim” e themi prapë që nuk është në korrelacion me atë që skuadra ka treguar në fushë, mirëpo statistika dhe aritmerika e thotë këtë: -fatkeqësisht.
Katër pikë është distanca me liderin aktual në kampionatin maqedonas. Fitorja është më se imperativ. Trajneri Brdariç debutimin e tij s’do ta ketë aspak të lehtë, mirëpo në qoftë se starton me tre pikë fituara, rrjedhimisht rriten apetitet, vetbesimi dhe shpresat për të parë tiullin kampion në Tetovë. Sepse vërtetë e meriton Shkëndija. Me plotë fjalë e themi që është klubi shqiptar simbol dhe shëmbull sa i përket organizimit dhe çasjes ndaj mediave dhe publikut. Ndeshja pritet të fillojë të dielën me fillim në ora 14:00.
Në fund të fundit, “mbi të gjitha është Shkëndija”.