HISTORIA E FRANKFURTIT
Nga mbijetesa në luftë për Champions për vetëm 3 milionë!
9 February, 2017 @15:42
Nuk është vetëm Leipzigu skuadra që po bën bujë në Bundesligën e Gjermanisë.
Nëse shikojmë pak më mirë, vërejmë që sezon të pabesueshëm po kalon edhe Frankfurti.
MBIJETESA
Kjo skuadër komplet sezonin e kaluar luftoi për mbijetesë dhe atë e arriti vetëm falë play-outit të Bundesligës, rregull ky që nuk ekziston pothuajse në asnjë nga top ligat evropiane. Frankfurti i vendit të 16 u ndesh me Nurnbergun e vendit të tretë të Bundesligës 2, për ta përcaktuar skuadrën që këtë sezon të sotëm do ta luante në elitën e futbollit gjerman.
Gjërat për Frankfurtin u komplikuan edhe më tepër dhe shpresat u shuan pothuajse tërësisht, kur skuadra nga ‘qyteti i biznismenëve’ barazoi 1-1 në shtëpi në ndeshjen e parë ndaj Nurnbergut. Mirëpo, gjithçka ra në vendin e vet në ndeshjen kthyese, ndeshje e cila përfundoi 0-1 dhe Frankfurti mbeti në Bundesligë. Hero i atij takimi ishte Haris Seferovic me një gol të shënuar në minutën e 66’ të takimit.
REVOLUCIONI
Sot, Frankfurti ndodhet në vendin e tretë të Bundesligës, me 15 xhiro pa u mbyllur kampionati dhe me gjasa reale për një vend që dërgon në Champions League. Ky sezon i Bundesligës po shihet të jetë ‘më i ngushtë’ se zakonisht. Bayerni ka gabuar më tepër, Dortmundi veçse ndodhet prapa Frankfurtit në tabelë momentalisht, Leipzigu i ardhur nga Bundesliga 2 po zhvillon një sezon fantastik dhe ndodhet në vendin e dytë prapa Bayernit dhe gjithashtu skuadra si Hoffenheimi, Hertha e Kolni po ‘ngacmojnë’ pozitat evropiane vazhdimisht. Sa i përket Leverkusenit, Wolfsburgit e Monchengladbachit, skuadra këto që zakonisht garojnë për pozita evropiane, rënia e tyre sivjet është evidente.
E bukura e këtij pozicionimi të Frankfurtit qëndron te fakti se kjo skuadër këtë ‘revolucion’ e ka arritur me vetëm 3 milionë euro shpenzime!
Vera 2016 për Frankfurtin ishte interesante. Startues të rregullt të sezonit të kaluar si Ignjovski, Zambrano, Aigner dhe Castagnos u larguan, derisa Reinarzt u detyrua të pensionohej në moshën 27-vjeçare. Nga largimi i këtyre lojtarëve Frankfurti përfitoi afro 12 milionë euro. Por ata nuk vendosën që t’i investojnë ato!
U shpenzuan vetëm 3 milionë euro, një shifër tejet e vogël në krahasim me shumat që po i shohim në futbollin modern, jo vetëm për skuadrat e mëdha! Niko Kovac, trajneri kroat i Frankfurtit, vendosi të mbështetej në huazime dhe në grupin e skuadrës që e kishte, pra skuadrën që mezi mbeti në ligë.
Transferi më i shtrenjtë ishte Taleb Tawatha nga Maccabi Haifa, transfer ky që kushtoi 1.2 milionë euro. Për çudi, ky lojtar sivjet i ka luajtur vetëm 18 minuta në Bundesligë...
E transferimet më të qëlluara erdhën nga Real Madridi. Omar Mascarell dhe Jesus Vallejo. Dy emra të panjohur nga askush, madje as nga tifozët madrilenë ndoshta. Mascarell erdhi në Frankfurt dhe nënshkroi kontratë 3-vjeçare dhe doli të ishte një nga shtyllat e skuadrës. I vendosur në mesfushë, i prirur për të dërguar topa të gjatë E të saktë, ndërhyrje të sakta dhe lojë të shpejt.
Vallejo erdhi si huazim nga Real Madridi. Vallejo po tregohet një lojtar intelegjent, me aftësi të mira të posedimit të topit dhe të leximit të lojës. Niko Kovac deklaroi ‘është skandaloze sa i mirë është ky lojtar’, për ta konfirmuar edhe më tepër se ky lojtar është një ‘shkëmb’ në fazën defansive të Frankfurtit. Përflitej se spanjolli mund të rikthehej në Madrid këtë janar, pas problemeve të këtyre të fundit me lëndime në mbrojtje, mirëpo kjo nuk ndodhi dhe Niko Kovac u lumturua.
Përveç dy spanjollëve, rekrutimet e tjera të Frankfurtit nuk ishin aq të mira. Guillermo Varela , i huazuar nga Manchester United, pësoi një lëndim të tmerrshëm në ligamentet e gjurit dhe huazimi i tij nuk pati asnjë ndikim. Shani Tarashaj nga Evertoni, Ante Rebic nga Fiorentina dhe Michael Hector, mund të thuhet që zhgënjyen, ishin shumë nën pritshmëritë.
Mirëpo, rolin kryesor në këtë Frankfurt nuk e kanë luajtur ardhjet e reja. Këtë sezon në Frankfurt janë ringjallur ata lojtarë që luftuan për mbijetesë vjet.
Alexander Meier, sulmuesi që ka luajtur në shumë skuadra të Bundesligës, sivjet është shndërruar në një makinë për skuadrën e kroatit Kovac. Me një sistem të ngjajshëm si Conte në Angli, Kovac po luan me tre qendërmbrojtës, me 2 mesfushorë-mbrojtës të shpejt e të palodhshëm në krahë dhe po ‘përzien’ shumë mirë përvojën e treshes Meier, Huszti e Abraham me talentin e Mijat Gacinovicit (ky emër do të përmendet edhe më tepër viteve të ardhshme nëpër botë).
Mbrojtja me Vallejon, Abrahamin e Haseben, krahët e saj me Chandlerin e Oczipkan dhe mesfusha Mascarelli-Huszti që lidh Marco Fabianin e Gacinovicn prapa Meierit. Ky është Frankfurti i Kovacit! Ky është Frankfurti revolucionar me 3 milionë euro, që na jep shpresë që jo gjithçka është e bukur në futbollin modern dhe se jo gjithmonë shpenzimet nënkuptojnë sukses!
Se si do ta mbyll sezonin ky Frankfurt nuk dihet ende, mirëpo deri tash, ata kanë kanë dhuruar një sezon të bukur!