KATEGORIA SUPERIORE

Olayinka kërkon të përshëndetet me gol
18 December, 2015 @9:15
Ndeshja derbi e kësaj fundjave në Kategorinë Superiore, ku do të takohet kampioni aktual, Skënderbeu, me rivalin e drejtpërdrejtë për titull, Partizanin, do të ketë një rëndësi të veçantë për sulmuesin e Skënderbeut, Peter Olayinka.
Kjo do të jetë ndeshja e fundit e Olayinkas në Korçë me fanellën e Skënderbeut, pasi që në janar pritet të bashkohet te skuadra e tij e re nga Belgjika, Gent, tek e cila u transferua për çmim rekord.
Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit korçar, Olayinka tha se dëshira e tij është fitorja në derbin ndaj Partizanit, derisa do të ishte e mirëseardhur edhe goli përmbyllës në Korçë.
“Sigurisht që nuk mendoj asgjë tjetër përveç fitores. Mendoj që forma jonë aktuale është shumë më e mirë se e kundërshtarit, pavarësisht se ne luajmë ndeshjen e 33 për këtë sezon, çka do të thotë se në krahasim me skuadrat e tjera jemi shumë lart. Një ekip tjetër me 36 sfida përfundon kampionatin. Jam I sigurtë që do të ketë spektakël pasi Partizanit është një skuadër që pretendon të na rrëmbejë titullin. Goli përmbyllës në Korçë? Po, patjetër,” tha nigeriani 21 vjeçar.
TABELA AKTUALE NË KATEGORINË SUPERIORE
Skënderbeu dhe Partizani i ndajnë dy vendet e para në radhitjen tabelare me pikë të njëjta (40), ndërsa ndeshja ndërmjet tyre do të zhvillohet të shtunën nga ora 16:00 në stadiumin Skënderbeu të Korçës.