FEYENOORD - DRITA
Paraqitja fantastike s’mjafton, Drita eliminohet nga Feyenoordi
29 July, 2021 @22:00
Pas paraqitjes fantastike dhe barazimit 0-0 në shtëpi, Drita nga Gjilani zhvilloi një tjetër paraqitje fantastike ndaj Feyenoordit në Holandë, por megjithatë në fund u detyrua të pajtohet me eliminim nga faza kualifikuese drejt UEFA Conference League.
Ndeshja e luajtur sonte në Rotterdam përfundoi 3-2 për Feyenoordin, rezultat që e kualifikon tutje skuadrën holandeze.
Ndonëse pësuan në minutën e 7’ nga Til, gjilanasit nuk u demoralizuan dhe shënuan dy herë në minutat 12’ e 26’ përmes Marko Simonovskit e Astrit Fazliu, për të kaluar 1-2 në epërsi.
E me mbrojtje solide, kjo epërsi u ruajt deri në minutën e 68’, moment në të cilin Til i vendasve barazoi me kokë për 2-2.
Pak pas golit të dytë të pësuar, rast të qindpërqindtë për gol lëshoi Arbnor Muja i Dritës, goli i të cilit mund t’i jepte komplet kahje tjetër ndeshjes. Pas Mujës, rast për shënim pati edhe Simonovski i Dritës, por gjuajtja e tij u ndal nga mbrojtja vendase.
E atë që nuk e bëri Drita, e bëri Feyenoordi. Në minutën e 90’, Til e gjeti përsëri rrjetën për 3-2, duke e kompletuar hat-trickun e tij personal dhe duke ia dhuruar skuadrës së tij kualifikimin.
Në anën tjetër, përkundër eliminimit, ajo që Drita shfaqi në Holandë është për çdo lëvdatë!
Në fazën tjetër të garës Feyenoordi përballet me Luzernin.