OPINION
Parashikimi i stinorit 2017/18 në Bundesliga
Shkruan: LUAN MORINA
18 August, 2017 @14:19
Për dallim nga Franca ku këtë vit PSG përkundër të gjithave mund të konkurrohet nga Monaco, Lyon, e mund të mos kaloj lehtë as ndaj Marseille, Nice e St. Etienne, Bayerni në Gjermani mund të shkel si makina asfalti këdo që i del para.
BAYERN
Edhe këtë vit kanë vjel më të mirët nga Bundesliga – Sule, Rudy dhe Gnabry. Ky i fundit është huazuar tek Hoffenheim, të cilët do të mund të përsërisin edhe një herë sezonin e kaluar pasi të tjerët po flejnë.
Tolisso e James janë prurje të shkëlqyeshme në vende të duhura. Shto edhe një ekip kampionësh që tashmë kanë pasur dhe Bayerni do të duhej të konkurronte Ligën e Kampionëve sepse Bundesliga është punë e kryer.
LEIPZIG
E vetmja mënyrë për të rivalizuar Bayernin është shpina e një sponsori të fortë si tek Leipzig. Kanë shtuar edhe së paku katër lojtarë të talentuar, sidomos me Augustin e Bruman. Laimer e Mvogo pritet të mobilizohen në rast largimesh eventuale, pak të mundshme për të ndodhur.
DORTMUND
Ndoshta Zorc ka heq qafe Teuchelin, por nuk shoh garanci që Peter Bosz do të jetë më i mirë se ai. Nejse, së paku s’do të duhej të rrezikonte pozitën e tretë që kanë pasur edhe sezonin e kaluar. Më shumë ka pasur largime se sa prurje, edhe pse Dahoud është një ndër mesfushorët më të talentuar. Mbrojtja është lënë pas me prurjen e vetëm Toprakut. Titullin, e edhe pozitën e dytë me këtë ekip dhe me largimin eventual të Dembeles ose Aubameyangut duhet ta harrojnë.
Të tjerët
Hoffenheim ka provuar të mbuloj largimin e Rudyt e Sules me Nordtveitin e Hoogman. Edhe Schulz është sjell me Gnabryn. Janë ekip solid që do të duhej të konkurronte pozitën e katërt derisa gjigantët së paku me histori e popullaritet si Schalke, HSV, Bremen e Leverkusen do të zhyten atje kah fundi.
Kolni ka bërë biznes të mirë me shitjen e Modeste të cilin e ka zëvendësuar me Cordoban. Kanë ardhur edhe Mere e Horn në mbrojtje, ky i fundit për të mësuar nga Hectori i cili mund të zhvendoset në një pozitë tjetër në fushë këtë vit. Hertha ka marr Rekikun e Selken, derisa Bremen s’do të donte më shumë se sa të ndante formën e kësaj pranvere në dy pjesët e këtij sezoni që po nis.
Monchengladbach e Wolfsburg kanë marr seriozisht verën. Ginter, Zakaria e Grifo do të duhej të mjaftonin për një vend në Evropë për Borussian. Ujqit kanë sjell Brooksin e lënduar tashmë, Camachon, e Dimatan, kinse për ti kthyer drejt Evropës. E në Evropë me këtë verë nuk meritojnë të jenë Leverkusen e Schalke. Së paku të dyja janë rehatuar nga trajnerë të dobët.
E HSV më në fund duhej të largoheshin në Bundesliga 2 me të cilën flirtojnë tashmë sa vite, pasi nuk e kanë ndërmend të kthjellen. Pozita tjetër është krejt e hapur për largim.