OPINION
Parashikim i sezonit 2017/18 në Serie A
Shkruan: LUAN MORINA
18 August, 2017 @12:14
Dëbimi nga Serie A ka qenë gjëja më e mirë që i ka ndodhur Juventusit. Shumë ekipeve ju nevojitet një sezon a dy për të nisur nga e para dhe Juventusit kjo i është imponuar, ndonëse me plot mëritë.
Kjo i ndihmoi edhe të shkundin gjërat në kryesi dhe tani kanë njerëz të cilët kanë bërë një menaxhim të mrekullueshëm në dhjetë vitet e fundit. Diçka që të tjerët nuk kanë pasur kurajë e vendosmëri ta bëjnë.
JUVENTUS
Në vitin e katërt të bilancit pozitiv, Juventus ka arritur 555 milion të hyra, 101 milion më shumë të dala. Këtu së paku, për dallim prej fushës së lojës, nuk ka pasur ndihmë nga askush, pos menaxhimi i mirë që i ka bërë dy herë finalistë të Ligës së Kampionëve dhe s’di sa herë fitues të Serie A.
SHIKO: Orari i ndeshjeve në SERIE A
Me një strategji të këtillë, titulli s’do të duhej të mungonte as këtë vit. Janë favorit absolut në Serie A e cila iu është bërë bajat ndoshta. Derisa Juventusi e gjen veten në anën pozitive të peshores financiare, Milani, Interi e Roma me hezitimet e tyre për të ndërruar pronarin dhe drejtimin kanë ngecur mbrapa. E prej Lotitos e De Laurentisit nuk mund të presësh më shumë. Kanë stadiume ekstravagante, kanë kufizime në të hyra, dhe mbi të gjitha janë kokëfortë. Tek Interi vitin e kaluar pati keqfunksionim hierarkik që këtë vit me gjasë do të sanohet me Sabatini-Spalletti. Milani vjen me risi dhe plot të panjohura. Roma vjen me stilin amerikan i cili vendos librat e kontabiliteti para gjithçkaje.
Për sezonin e radhës, së paku deri tash Juventus ndoshta nuk ka bërë shumë gjëra që do t’i vendosnin në luftë për Ligën e Kampionëve, e që sigurisht mbetet synimi kryesor. Së paku s’do të mundojnë Mandzukicin në krahë me ardhjen e Bernardeschit e Douglas Costas. Benatia e askush ndoshta s’mund të zëvendësoj Bonuccin në mbrojtje, aq më pak De Sciglio. Ky i fundit është më rehat kur luan mbrojtës krahu në mbrojtje me tre veta. Kanë një rezervë të mirë në Szczesnyn, e Matuidi do të jetë opsion i mirë për mesfushën tashmë ‘guri’ të Juventusit. Titulli veç është i tyre. Varet se a do ta rrezikojnë a jo.
ROMA
Nuk di si nuk kanë mësuar nga gabimi me Salihun. Under vjen shumë herët tek Roma. Janë përqendruar në talente – Karsdorp, Pellegrini; dhe përvojë – Kolarov, Moreno, Gonalons. Kanë larguar lojtarë të zëvendësueshëm lehtë, e mund të sakrifikojnë edhe Manolasin nëse nevojitet. Me rëndësi për pronarët e tyre, ata janë në bilanc pozitiv së paku sa i përket tregut. Ky ekip s’do të bëhej kampion me Spallettin, e as me Di Francescon. Atë çfarë mund të bëjnë është të konkurrojnë Juventusin më shumë. Loja e Eusebios ka qenë për tu admiruar.
NAPOLI
Një trajner i cili bën lojëra të shkëlqyeshme, por nuk ofron kontinuitet ndoshta për shkak të dobësisë në rotacion dhe si rrjedhojë kemi mungesë titujsh. Një sezon tjetër i Dries Mertens sikur i fundit dhe një Milik i shëndosh mund të japin një shtytje drejt pozitës së dytë e cila me gjasë s’do të ketë kurrfarë dallimi ndaj të katërtës e cila dërgon direkt në Ligën e Kampionëve. S’kanë sjell mjaft lojtarë deri tani, por edhe pse kanë ekip goxha të gjerë, menaxhimi po i lë pa tituj.
Për pozitën e katërt do të duhej të ishte luftë e madhe. Në fakt, për tri pozitat e ndjekëse pas Juventusi do të duhej të ishte ‘Hardhome’ në vete, me Interin e Milanin porsa të ringjallur.
INTER
Interi vitin e kaluar ka shpenzuar, por ka keqmenaxhuar pankinën. Me mëritë kanë mbetur jashtë Evropës. Këtë vit kanë blerë lojtarë si Vecino e Skriniar të cilët paksa janë mbipaguar, por hiç më ndryshe s’kanë bërë as kushërinjtë e tyre të qytetit të cilët megjithatë kanë blerë emra që ju kryejnë punë. Interi nuk ka ekip për të luftuar për titull.
Jo për momentin. Bile mund të hasin në probleme edhe për pozitën e katërt, nëse nuk ndryshojnë diçka. Thellësia e ekipit mungon dhe derisa mungesa nga Evropa mund të ju jap një ndihmë, nuk garanton sukses.
MILAN
Tek Milani ka ndodhur një ndryshim rrënjësor. Bonucci dhe Biglia janë dy shtylla të cilat i kanë munguar që nga koha e Maldinit e Seedorfit. Derisa Bonucci merr mburojën në mbrojtje, Biglia sjell trurin në mesfushë përkrah Kessies shkatërrues dhe cilitdo teknik tjetër.
Në sulm paksa mbeten keq pa një krahë të mirë. Ndoshta me Kalinicin mund të kthehen në 3-5-2. Sidoqoftë, sfida kryesore e tyre do të jetë Top 4-shi i cili mund të zhduket nga horizonti në fillim të shkurtit kur do të jenë gati dy muaj më të lodhur se Juventusi, Roma e Interi.
LAZIO
Lazio kanë bërë mrekullia me Simone Inzaghin. Kanë gjetur lojtarë të talentuar të cilët do ta kenë vështirë ti zëvendësojnë. Lucas Levia për Biglian?! Seriozisht?! Zëvendësime të mira kanë ndodhur tek Atalanta me Ilicicin në ardhje dhe talente si Vido, Castagne, Haas, Orsolini e Pessina. Këtë e bëjnë më së miri edhe pse një sezon tjetër do të jetë i vështirë me milanistët në ringjallje, e Fiorentinën e revolucionuar.
FIORENTINA e të tjerët
Në Firencë me pritjet në ndryshim pronësie mund të duket sikur ka pasur një dezertim masiv. Në fakt ka qenë një zëvendësim adekuat për një fillim të ri. Simeone, Veretout, Biraghi, Milinkovic me Vlahovicin, Hugo, e mbi të gjitha Benassi mund të jenë shtesa të mira në skeletin me përvojën e Astorit e talentin e Chiesas.
Torino e Sassuolo kanë vepruar mençur këtë verë. Të dyja mund të ofrojnë rivalitet të denjë ndaj ekipeve të kreut. Sampdoria duhet të mbetet aty kah mesi, të cilin duhet ta sfidoj edhe Genoa këtë vit.
Skuadrat e Veronës duhet të luftojnë për mbijetesë, derisa Bologna, Udinese, Cagliari e Crotone do të mund të mbesnin edhe një vit në Serie A. Mbijetesë e zorshme për Beneventon, e sidomos SPAL.