NGA VIZITA E KREUT TË UEFAs
Ceferin i jep shpresë futbollit të Kosovës
17 August, 2017 @15:31
Kryetari i UEFA-së, Aleskander Ceferin, është shprehur të jetë i kënaqur me vizitën e bërë në Kosovë sot, edhepse, siç tha ai, ishte shumë e shkurtër dhe nuk ka mundur të shoh gjithçka.
Sidoqoftë, ai i ka bërë të ditur opinionit se Kosova futbollin e ka në duar të mira derisa drejtohet nga Fadil Vokrri dhe punohet nga një sekretar i përgjithshëm si Eroll Salihu.
“Jam i nderuar që jam këtu dhe kam parë nga afër punën që po bën FFK-ja. Kemi shikuar pak edhe gjendjen në terren. UEFA-ja është e gatshme për të ndihmuar futbollin e Kosovës si me këshilla ashtu edhe me fonde konkrete për të cilat duhet aplikuar,” ka thënë slloveni 49 vjeçar Ceferin në konferencë për shtyp, ndër të tjera, sot.
“As futbolli slloven kur u pavarësua nuk ka qenë në gjendje më të mirë. Më kujtohet zyrja e Federatës sllovene pas pavarësimit të futbollit, nuk i ka pasur mbi 20 metra katrorë, ndërsa ju shpejt keni bërë thuajse një ndërtesë të tërë, zyre të Federatës,” ka shtuar Ceferin.
Ndërsa i pyetur se pse ka vendosur që të vizitojë Kosovën dhe FFK-në së pari në rajon, Ceferin ka thënë se kjo ka qenë ekskluzivisht ftesa dhe respekti që ka ai ndaj kryetarit Fadil Vokrri, të cilin e cilësoi si legjendë futbolli.