OPINION
Parashikimi i stinorit 2017/18 në La Liga
Shkruan: LUAN MORINA
18 August, 2017 @13:35
Liga me dy nga ekipet më të mira në botë këtë vit mund të shoh ndryshime rrënjësore.
BARCELONA
Barcelona ka ndryshuar trajnerin, është larguar njëri nga lojtarët kryesor dhe transferimet e akademia nuk po funksionojnë si më parë. Shumëçka mund të ndryshoj për një kohë të shkurtër, por sezoni është i gjatë dhe nuk i dihet. Problemet e tyre kanë qenë të vërejtura edhe në periudhën e Luis Enriques, përkundër krejt titujve. MSN i ka mbuluar të gjitha. Tani që MSN nuk është më, të gjitha problemet do të dalin në pah dhe nuk është vetëm kryesia për tu fajësuar.
Se a është Valverde i duhuri në pankinë, e se a do të kryejnë punë ardhjet eventuale të Coutinhos e Dembeles mbetet të shihet. Por, dëmi i bërë me largimin e Neymar dhe kokëfortësinë e një lideri që nuk mund të mbijetoj pa tjerët do të mund të vërehen gjatë një sezoni të gjatë.
REAL MADRID
E për një sezon të gjatë nuk duhet të brengosën mbretërit e Zidane. Vitin e kaluar kanë pasur dy ekipe për të konkurruar në të gjitha fronet. Këtë vit kanë dy ekipe të pjekura dhe me përvojë për të konkurruar në dy frone.
Prurjet nuk janë të domosdoshme, por një lojtar që përshtatet në sistem kurrë nuk është tepricë. Megjithatë mund të shohim një sezon relaksues tek Reali. Pres të ndodh kjo, por druaj se mund të ndodh e kundërta. Një dinasti që tashmë ka tejkaluar edhe galaktikët e fillimit të këtij shekulli. Një dinasti që ofron art në fushë me 11 karaktere të ndryshme të udhëhequra nga një gjeni i futbollit!
ATLETICO MADRID
Stadiumi i ri, por pa ardhje të reja duhet ti mbaj ‘loc colchoneros’ në ‘stand-by’ deri në janar. Simeone di të manovroj me thellësinë e ekipit dhe nëse ia del të mbaj hapin me dy të parat deri në dhjetor, atëherë mund të presim një sezon të mirë.
Largimet kanë qenë jo aq të rëndësishme për ekipin e parë, rrjedhimisht loja s’duhej të pësoj shumë rënie.
SEVILLA
Sevilla do të duhej të sfidonte Atleticon përsëri, pasi për dy të parat besoj që do ta kenë të vështirë. Nuk janë ekip aq i gjerë për të vijuar luftën në dy frone dhe kjo është vërejtur sidomos në sezonin e fundit. Muriel, Kjaer dhe rikthimet e Navas, Banegas e Nolitos në gadishull ofrojnë më shumë përvojë por më pak freski.
VILLAREAL, SOCIEDAD e të tjerët
Sociedadi ka arritur të mbaj ekipin që ka dhe ardhja e Januzajt së paku për neve kosovarëve duhet të jetë një gjë interesante. Vela u largohet më së voni në mars, derisa mbetet të shohim si do të funksionojnë këtë vit Diego Llorente dhe Ruben Pardo. Villarreal ka bërë shkarkime, por ka transferuar edhe emra të talentuar si Semedo, Enes e Fornais. Bacca për një sezon mund të gjej veten në Spanjë për këto pak vite që i kanë mbetur.
Gjatë verës aktiv kanë qenë Alaves. Kanë mbledhur disa talente nga shkollat e Realit, dhe kanë shëtitur paksa edhe në Evropë. Nuk besoj që rrezikojnë rënien nga liga, e në këtë betejë s’do të duhej të ishte e përfshirë as Valencia. Bashkë me Bilbaon e Espanyolin meritojnë të jenë në pjesën e epërme të tabelës, aty ku Eibar qëndron tashmë sa vite përkundër konditave minimale që kanë. Mos të harrojmë edhe Betisin që ka bërë gjëra të mira gjatë verës.
Për rënie nga liga do të duhej të ishte një garë më e hapur se vitin e kaluar, me së paku Las Palmasin të kthyer në këtë mes pas një sezoni befasishëm të mirë.