OPINION

Parashikimi i stinorit në Ligue 1
Shkruan: LUAN MORINA
4 August, 2017 @15:09
Carlo Ancelotti ka një sozie në Ligue1. Unai Emery!
Pas Ancelottit, vetëm Unai Emery mund të humbiste një titull në Ligue1. Më keq se Ancelotti, ai mund të humbiste edhe një ndeshje me avantazh prej 4-0 dhe një goli shtesë si mysafir. Por, së paku Monaco është më i mirë se Montpellier i kohës së Ancelottit.
Tashti me Neymarin, nëse nuk shesin askënd, PSG mund të konsiderohet ekip i kompletuar. Personalisht nuk do ti besoja një sezon të plotë Trapp e Areolas në portë. I takon PSG-së të vendos se kujt do ti takoj titulli në Francë.
Monaco s’do ta ketë të lehtë të përballet me PSG-në. Në duele direkte jashtë ligës nuk kanë qenë bash të mirë. Largimi i Mbappes sa më herët do të ishte më i mirë – do ti mundësonte të gjenin zëvendësues të denjë, ashtu siç kanë bërë me repartet tjerë. Tielemans e Meite, bashkë me Mboula e Diakhaby pritet të kenë një sezon adaptues në ekipin e parë. Të kujtojmë që Mbappe ka shpërthyer vetëm në pjesën e dytë të sezonit. Monaco falë Jardim po bën një strategji të mençur viteve të fundit. Zhvillon dhe eksporton talente. Diçka që zakonisht bënte Lyoni në Francë.
Nuk besoj, dhe për hire të ligës s’do të preferoja të shihja dikë tjetër të ndiqte dyshen në krye. Vitin e kaluar falë Nice edhe pozita e tretë ishte çështje e mbyllur qysh para gjysmës së sezonit.
Nice s’do të mund të përsërit suksesin e vitit të kaluar tashti që kanë edhe Evropën. E di, edhe vitin e kaluar kishin diçka të ngjashme, por kësaj i shtojmë edhe faktin që Lyon, Marseille, e edhe Bordeaux, Lille, e Saint Ettiene, mund të rrezikojnë pozitën tre dhe katër që shpien në Evropë.
Nice ka bërë pak ndryshime deri tashti, kryesisht në mesfushë në përgatitje të ndonjë largimi eventual.
Lyon ka bërë para duke larguar lojtarë bazë për ti zëvendësuar me talente dhe përvojën e Marcelos i cili vjen në vend të Mammanas. Marseille ka marr seriozisht këtë verë duke sjell Ramin, Luii Gustavon, e Germain. Mbi të gjitha ka qenë e nevojshme ardhja e Mandandas në portë.
Bordeaux ka heq dorë nga Evropa më herët se që duhet ndoshta, derisa Lille me Bielsan ka mbledhur tre brazilianë dhe dy talente vendase. Ndoshta do të ju duhet pak kohë, por me Bielsan besoj që janë në rrugën e duhur. Ndërkohë Saint-Etienne gjithnjë ka pasur aspiratat për të qenë aty në krye, por Evropa e ka mbajtur në një mënyrë mbrapa. Të shohim si do të bëjnë këtë vit.
Dy ekipe tjera që do të mund të befasonin janë Rennes dhe Nantes. Këta të fundit i kishte këndellur Sergio Conceiçao i cili fatkeqësisht është larguar për tu zëvendësuar Ranierin. Rennes ka mbledhur disa talente për tu udhëhequr nga Christian Gourcuff. Personalisht, pres edhe nga Angers të bëj aty-këtu befasi. Më vjen keq që nuk do të kemi Lorient të cilët përkundër shumë problemeve kishin arritur të mbaheshin deri në fund, për të rënë në përfundimtare.
Ligue 1 akoma mbetet nën kthetrat e PSG-së, epshi i të cilëve për Evropë mund të lejoj befasi në ligë. Sidoqoftë, janë 19 pozita tjera për tu vendosur.