TIFOZËT SHEMBULL
Parisi, me medalje për tifozët!
30 June, 2016 @16:12
Tifozët e Irlandës Veriore dhe ata të Republikës së Irlandës, do të nderohen me një çmim nga kryetarja e Komunës së Parisit, për sportivitetin e treguar gjatë Kampionatit Europian.
Kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, ka thënë se ata do të shpërblehen me Medaljen e Qytetit të Parisit, raporton BBC.
Medalja, e njohur si “Grand Vermeil”, konsiderohet si çmimi më prestigjioz që mund ta jap Parisi, ndërsa kjo medalje më parë i është dhënë figurave të rëndësishme kulturore, politike dhe sportive.
Që të dyja skuadrat, si Irlanda Veriore, ashtu edhe Republika e Irlandës, tashmë janë eliminuar nga garat e EURO 2016.
Kryetarja Hidalgo ka dërguar letër Ministres së Parë të Irlandës Veriore dhe Presidentit të Republikës së Irlandës, për t’i njoftuar ata në lidhje me vendimin për ndarjen e medaljeve.
Data e organizimit të ceremonisë së ndarjes së medaljeve ende nuk është bërë e ditur.