LIGA E KAMPIONËVE
Partizani premton më të mirën për të arritur kualifikimin
19 July, 2016 @21:21
Skuadra e Partizanit sot ka organizuar një konferencë për shtyp në ambientet e stadiumit të skuadrës Ferencvarosi, me të cilën do të përballet nesër në kuadër të ndeshjes së dytë të rrethit të dytë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.
I pari që foli ishte trajneri italian i të kuqëve, Adolfo Sormani, i cili pranoi se skuadra kundërshtare është favorite në këtë përballje.
“Luajmë përballë një skuadre me traditë dhe e dijmë se na pret një ndeshje e vështirë. Këmi 4 lojtarë me probleme por gjithsesi besojmë se do të dhurojmë një ndeshje të mirë. Ferencvaros është një skuadër ku në gjirin e saj ka lojtarë të cilët e përdorin mirë topin dhe disponojnë një teknikë të lartë.”
“Mendoj se ndeshja e parë e luajtur në Elbasan Arena ishte një 90 minutësh i ekuilibruar, ndërsa nesër Ferencvaros luan në shtëpi dhe sigurisht do të bëjnë ndeshjen e tyre. Për këtë përballje nuk jemi favorit, megjithatë ne duam të jemi një skuadër. Autori i golit të barazimit në ndeshjen në Elbasan, Daniel Bode, është me të vërtetë një lojtar cilësor. Do të bëjmë të pamundurën për ta bllokuar,” tha Sormani.
Më pas, foli edhe mbrojtësi Renato Arapi, i cili sivjet u transferua te Partizani nga skuadra e Skënderbeut.
Arapi tha se skuadra e tij do ta jap më të mirën nga vetja, megjithëse nuk është 100% në formën e saj.
“Jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, por ne do të hyjmë në fushë për të bërë më të mirën tonë. Ekipi nuk është 100% të formës së tij, por po arrin të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. Do të mundohemi të mbrohemi fillimisht dhe të shfrytëzojmë rastet që do të na paraqiten. Jemi përgatitur të luajmë ndaj çdo kundërshtari pasi bëjmë lojë në zonë,” tha Arapi.
Ndeshja ndërmjet Partizanit dhe kampionit hungarez, Ferencvarosi, do të luhet nesër nga ora 19:30 në stadiumin Groupama Arena në Budapest.