DRITA-BESA
Pas 3 barazimeve, Drita fiton
29 October, 2017 @14:44
Skuadra e Dritës së Gjilanit i është kthyer fitores pas 4 xhirove nga ajo e fundit. Ekipi i Milaim Zuzakut ka mposhtur sot Besën e Pejës në Gjilan me golat e shënuara në pjesë të dytë.
Ka qenë Leotrim Kryeziu që theu mbrojtjen e Besës për epërsinë fillestare të vendasve 22 minuta para fundit të takimit, pas një pasimi nga Përparim Livoreka.
Ndërsa shpejt, pas 11 minutave, Xhevdet Shabani, shënuesi më i mirë i bardhekaltërve siguroi fitoren duke shënuar për 2-0.
Dominimi i Dritës është parë edhe në pjesë e parë të ndeshjes, por gol s’kishte. Në pjesën e dytë Zuzaku inkuadron Përparim Livorekën në vend të Laurent Ismailajt, ndërsa Leotrim Kryeziun në vend të Viktor Kukës, për të përforcuar sulmet edhe më, që rezultoi më pas me gola.
Në fund, Besa mbeti me 10 lojtarë në fushë, pasi që Papuqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Derisa Drita i kthehet fitores pas 3 barazimeve në 3 xhirot e fundit, Besa në anën tjetër, nuk po arrin assesi të këndellet si ekip mysafir duke shënuar edhe humbjen e radhës, ndërsa qëndron në zonën e rrezikshme të Superligës.