Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ANALIZA PAS NDESHJES

Pas çdo mundimi, vjen lehtësimi

Nga festa e golit të djeshëm të fitores/ Foto: FFK

Pas çdo mundimi, vjen lehtësimi


Shkruan: Luan Morina

19 November, 2020 @18:22

Ngjashëm, edhe pas çdo serie prej 15 ndeshjeve pa humbje mund të nisë një seri prej 10 ndeshjeve pa fitore. Dhe kjo nuk është seria e parë, por shpresojmë të jetë e fundit.

Fajtorin kryesor, personalisht, e shoh tek situata me pandemi e cila pos mungesës së tifozëve, na ka mohuar edhe disa lojtarë të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe, si dhe ka ndikuar në formën e disa prej tyre.

Gjatë këtyre dhjetë ndeshjeve, Vedat Muriqi ka luajtur vetëm dy sosh, dhe në të dyja ka shënuar. Milot Rashica ka luajtur vetëm tri. Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala – dy lojtarët kyç të formacionit kanë luajtur bashkë në vetëm dy ndeshje. Amir Rrahmani e Benjamin Kololli kanë munguar në katër, Arbër Zeneli në gjashtë.

Për rëndësinë e Muriqit e Rrahmanit u kujtuam në këto dy ndeshjet e fundit. Me kapitenin të zgjedhur në formacionin më të mirë të javës së pestë në të katër nivelet e Ligës së Kombeve nga Sofascore. Muriqi i dha frymë sulmit.

Nga dhjetë ndeshjet që kemi kaluar pa fitore, vetëm ndaj Moldavisë kemi qenë favoritë. As ndaj Maqedonisë e Shqipërisë nuk jemi më superiorë. Por, falë kualifikimeve të fundit për Evropian, kemi shfaqur potencial të jemi më të mirë edhe se Sllovenia e Greqia.

Mali i Zi e Shqipëria kalojnë në Ligën B, Maqedonia mbetet në Ligën C. Në secilin nga këto tri grupe, ne do të kishim kaluar në Ligën B. Por, kemi pasur grupin më të vështirë në këtë ligë, dhe COVID19.

Gjatë kësaj periudhe, gjëra të mira ka pak, por nuk jemi pa to. Kemi parë Lirim Kastratin të shfaqë potencialin e plotë, Fidan Alitin të zhvillohet në një shtyllë të mbrojtjes, Bersant Celinën në një motor të mesfushës, dhe në këtë listë do të fusja edhe Florent Hadërgjonajn që vetëm sa nuk mbrojti gjatë kësaj periudhe.

Çdo kombëtare ka ciklet, dhe ne uroj të kemi kaluar këtë të errëtin.

PLANI 2024

Mbetja në Ligën C është vitale, sepse Liga D nuk ka vend të siguruar në Euro 2024.

Kualifikimet për Evropianin në Gjermani do të mbeten në dhjetë grupe, me fituesit dhe të dytët që shkojnë direkt – 20 kombëtare. Plus Gjermania si vendase, dhe së paku tre fituesit e Ligave A, B, dhe C. Kjo është vetëm një teori e imja, pasi asgjë zyrtare nuk ka.

Sidoqoftë, të gjithë e dimë që ne jemi në Top 36 kombëtaret në Evropë, dhe meritojmë të jemi në Ligën C. Por, a jemi në mesin e 24 kombëtareve më të mira në Evropë?

Për momentin jo, por potencial kemi, dhe na duhet fat. Sidomos në shorte.

Edhe me fatin më të mirë, mund të kemi Danimarkën, Sllovakinë, Irlandën Veriore, Bjellorusinë, e San Marinon në grup. Vetëm një shko direkt, dhe e dyta në fazën kualifikuese.

Por, edhe mund të kemi fatin e zi me Portugalinë, Uellsin, Norvegjinë, Slloveninë, e Maltën në grup.

Sidoqoftë, është e rëndësishme që të dalim me një me gjashtë kombëtare, ashtu që të mos jemi kombëtarja më e dobët në renditje, dhe të marrim së paku dy fitore e gjashtë pikë ndaj një kombëtareje nga kapela e gjashtë.

Është edhe më vitale që mos të rrisim shpresat më shumë se që kemi kapacitetin.

Vetëm na duhet një angazhim i sinqertë, i gjithsecilit të përfshirë në kombëtare, që nga federata deri tek lojtarët rezervistë. Dhe, fatkeqësisht, nuk jemi në nivel në këtë aspekt, sidomos në organizimin në federatë. Kemi persona jokompetent, të paaftë, të cilët kanë privatizuar federatën për interesa të ngushta personale. Dhe mënyra më e gërditshme janë hedhja e emrave të ndryshëm që po vinë, kinse si merita kryekëput të ‘presidentit’ të federatës!
Marrë parasysh këtë gjendje, ne kemi arritur shumë viteve të fundit, sidomos pas vdekjes së Fadil Vokrrit.

KRENARIA VERDHËeKALTËR!

Të bartësh fanellën e vendit tënd është krenari! Dhe këtë duhet ta dijë secili lojtar që veshë fanellën e Kosovës!

Ata që nuk e ndjejnë këtë, është më mirë të mos lodhen fare, sidomos nëse mund të pranojnë kritikat e fansave! Kur luan për vendin tënd, gjithmonë duhet të japësh maksimumin, sepse është gjëja më e vlefshme në jetën e të gjithë banorëve të atij vendi.

Të ofendosh e të nënçmosh kombëtaren për disa kritika, qofshin edhe të pavend, është gjë idiote!

Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që mendojnë të vazhdojnë të luajnë për Kosovën. Ngjashëm edhe ata të cilët provojnë ‘diplomaci’ rreth pranimit të ftesës për të luajtur apo jo për Kosovën.

Të bartësh fanellën e Kosovës është krenari! Nëse dikush ta mohon këtë krenari, atëherë meritojmë të dimë fajtorët. Por, të vësh kushte e kërkesa për këtë gjë të cilën shumë e konsiderojnë edhe të shenjtë, është poshtërsi!
Lojtarë të këtillë nuk i duhen Kosovës!

Është poshtërsi të presim një individ të ‘rregullojë’ dokumentacionin, sidomos pas lehtësimeve të fundit të FIFA-s. Është ofendim i kombëtares të vonosh duke pritur ftesën eventuale nga vendet tjera.

Nuk jemi më të mirët, por e kemi zemrën e madhe dhe mendjen tek Kosova. Zemrën dhe mendjen tek Kosova, duhet ta ketë edhe secili lojtarë që luan për Kosovën.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve