GJILANI - PRISHTINA
Pefqeli shpëton Prishtinën
20 April, 2019 @16:56
Në takimin e luajtur sot në stadiumin e qytetit në Gjilan, skuadra e Prishtinës ka arritur të shënojë fitore ‘të vuajtur’ ndaj skuadrës vendase të Gjilanit, fitore e cila mund të jetë shumë e rëndësishme për Prishtinën në luftën për titullin kampion.
Pjesa e parë kaloi me luftë të fortë nga të dyja skuadrat, por me Prishtinën më të rrezikshme dhe më kërkuese, mirëpo rrjetat mbeten të paprekura dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat të bardhë, 0-0.
E pjesa e dytë i takoi plotësisht Prishtinën, me ndeshjen që u zhvillua pothuajse totalisht në gjysmëfushën e Gjilanit. Fillimisht raste për shënim patën Lorik Boshnjaku e Mario Morina, e më pas në sy ranë shpërdorimet e mundësive tejet të volitshme nga Basit Khalid e Mërgim Pefqeli, të cilët u treguan të pasaktë para portës së Haxhihamzës vendas.
Gjithsesi, kur u mendua se ndeshja do të mbyllej me barazim dhe që Prishtina do të lëshonte pikë, një krosim fantastik nga Armend Thaqi i krahut të djathtë e gjeti më së miri në zonë zëvendësuesin Mërgim Pefqeli, i cili shënoi me kokë për 0-1, gol i cili ishte i mjaftueshëm që Prishtina ta mbyllë me fitore këtë takim.
Me Niklin që ndeshjen e vet e zhvillon nesër, Prishtina me këtë fitore arrin të ngjitet në krye të Superligës, kurse për Gjilanin humbja e sotme e lë këtë skuadër në kuotën e 35 pikëve momentalisht.
Xhiron e ardhshme, Gjilani i shkon Feronikelit në Drenas, kurse Prishtina luan ndaj Drenicës në kryeqytet.
FORMACIONET STARTUESE
Gjilani: Haxhihamza, Kosumi, Lila, Halili, Magani, Kçiku, Haxhibulliqi, Shabani, Hajdari, Perez, Asani. Prishtina: Bekaj, Thaqi, Bashiru, Dallku, Bekteshi, Miftaraj, Ahmeti, Boshnjaku, Hoxha, Morina, Mankenda. |