Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

1/4: DUKAGINI - DRITA

Penalltitë vendosin, Drita kalon në gjysmëfinale

Penalltitë vendosin, Drita kalon në gjysmëfinale


6 March, 2024 @15:49

Në “13 Qershori” të Klinës, sot Dukagjini e Drita luftuan për një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës.

Koha e rregullt prej 90 minutave u mbyll 0-0, e njëjtë u mbyll edhe koha shtesë, me ç‘rast fituesi u detyrua të përcaktohet pas gjuajtjeve të penalltive. Aty më të mirë u treguan gjilanasit dhe rrjedhimisht e siguruan kalimin në gjysmëfinale.

Me pak raste serioze të shfaqura për shënim, pjesa e parë u mbyll pa gola.

SKEMA E KUPËS SË KOSOVËS

Pjesa e dytë, ndonëse me plot ndërprerje e plot kartonë të verdhë, dhuroi më shumë raste për shënim.

Për gjilanasit, një prej rasteve më të mira në pjesën e dytë ishte goditja e shtyllës në minutën e 65’, ndërkohë te vendasit raste tejet të mirë për shënim pati Altin Mërlaku, gjuajtjet e të cilit.u pritën nga Faton Maloku i Dritës në të dyja rastet. Njëri prej tentimeve në fjalë ishte krejt në fund të kohës së rregullt.

Gjithsesi, gola nuk pati dhe koha e rregullt u mbyll pa fitues, njëjtë sikur më pas vazhdimet dhe fituesi u përcaktua pas penalltive.

Në goditjet e 11-metërshave, Drita fitoi me rezultat 3-4.

Gentrit Salihu, Elton Basriu dhe Bujar Shabani shënuan për Dukagjinin nga pika e bardhë, kurse Iran Junior dhe Altin Mërlaku dështuan dhe ishin figura tragjike për skuadrën e tyre sot.

Rron Broja, Juan Mesa, Kastriot Selmani dhe Besnik Krasniqi nuk gabuan nga pika e bardhë për Dritën, ndërkohë Almir Ajzeraj humbi penalltinë.

Në takimin tjetër të ditës së sotme, Prishtina e eliminoi Trepçën ‘89 dhe kaloi në gjysmëfinale.

 


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës