Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

1/8: ONIX - KEK-u

Penalltitë vendosin, Onixi në çerekfinale të Kupës!

Foto: FC Keku

Penalltitë vendosin, Onixi në çerekfinale të Kupës!


5 February, 2022 @15:42

Një takim shumë interesant u zhvillua sot në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës mes Onixit vendas dhe KEK-ut mysafir.

Skuadrat në fjalë luajtën baraz pas 90 minutave, 3-3, e pa fitues u mbyllën edhe vazhdimet, për t’u përcaktuar kështu fituesi nga gjuajtjet e penalltive. Më i saktë në gjuajtjet e penalltive u tregua Onixi dhe kështu e arriti çerekfinalen e Kupës së Kosovës.

Ndeshja filloi tejet mirë për mysafirët nga Obiliqi, të cilët realizuan që në minutën e parë përmes Adonis Përveticës.

Më pas, ishin vendasit ata që e gjetën rrjetën. Për 1-1 shënoi Enis Miranaj në minutën e 14’ dhe pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.

SKEMA E KUPËS SË KOSOVËS

Gjashtë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Gëzim Berisha e riktheu epërsinë e KEK-ut, 1-2 pas 51 minutave lojë.

Me golin e Ademit në minutën e 75’, epërsia e KEK-ut shkoi në 1-3, por Onixi përsëri nuk u dorëzua dhe barazoi gjithçka në 3-3, për ta çuar ndeshjen në vazhdime.

Fillimisht për 2-3 u përkujdes Podgorica i KEK-ut, i cili shënoi në rrjetën e gabuar (84’), e krejt në fund debutuesi Almedin Murati (90’) barazoi në 3-3.

Gjatë 30 minutave të vazhdimeve, gola nuk pati, ndërkohë Onixi nga minuta e 113’ mbeti me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Visar Haxhijajt.

Krejt në fund, në ekzekutimin e penalltive më të mirë u treguan futbollistët e Onixit (5-4) dhe kështu arritën të kalojnë në çerekfinale të Kupës.

Kujtojmë që Onixi së fundi e ka ndryshuar emrin në Phoenix dhe në vazhdim të sezonit do ta gjejmë me këtë emër.


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës