KOLUMNE
Pepi në botën e çudirave
Shkruan: Luan MORINA
21 October, 2016 @13:36
Pas katër ndeshjeve pa fitore që në Spanjë e Gjermani do të ishin sikur fundi i Botës, Pep Guardiola e gjen veten në një pozitë që nuk ka qenë që nga koha e tij në Brescia. Por, megjithatë sipas mediave, Guardiola duket se ka gjetur fajtorin për këtë seri të errët. Ai është askush tjetër pos kapiteni Vincent Kompany!
FAJTORI
Belgu i lënduar për herë të parë është paraqitur në njërën nga këto katër ndeshje – atë kundër Evertonit kur në minutën e fundit të ndeshjes zëvendësoi Gundoganin. Ndoshta paaftësia e tij për të shënuar nga pozita e qendërmbrojtësit në atë ndeshje për ato pak çaste të mbetura ka ndikuar në këtë seri të pakënaqshme të Guardiolës!
Por, të gjithë e dimë që largimi i Kompanys nuk është për shkak të lëndimeve, plakjes dhe formës së tij. Njëjtë sikur për Hartin e Yayan, largimi i tij do të jetë një formë kollitjeje se kush është shefi! E dimë që Pepi është ego-maniak i cili dëshiron të jetë kryesori në ekipin e tij. Deri më tani kjo nuk i është mohuar askund ku ka qenë dhe suksesi nuk besoj që ka ardhur si pasojë e kësaj, sa rezultat i ekipeve të kompletuara kudo që ka qenë.
GABIMET
Fansat e LiveScore mund të konkludojnë se Barcelona kishte dominuar ndeshjen kundër Manchester City. Rezultati 4-0 dhe përjashtimi i Bravos dëshmojnë këtë. Vetëm në letër ama!
Të katër golat e Barcelonës kanë ardhur kryekëput nga gabimet trashanike të lojtarëve të Cityt. Si një simpatizues i Yaya Toures për të cilin mendoj që është lojtari më i kompletuar në këto vitet e fundit (edhe si portier do të kryente punë), nuk mund të mohoj se më ka kënaqur loja e Fernandinhos dhe Gundoganit. Pastaj edhe gabimi i Bravos sigurisht se ka kthyer buzëqeshje në fytyrën e Joe Hart, i cili nuk është kushedi çfarë portieri, ama më i mirë se Bravo është!
LOJTARËT
Në pjesën e parë, përkundër gabimit, Manchester City ka qenë jashtëzakonisht i mirë, sidomos në kundërsulme. E kuptoj që loja pa 9sh klasik ka qenë si ide për të trazuar mbrojtjen jo aq të mirë të Barcelonës. Kjo edhe rezultoi me largimin e Matthieu,s i cili është shumë pak mobil në lëvizje për këmbëshpejtit e Cityt.
Largimi i Bravos ishte kyç në vazhdimin e lojës. Është zor të durohet një presion i tillë, sidomos kur nuk ke lider në fushë. Por, me kalimin e kohës City mund të krijoj identitet.
IDEA
Guardiola duket se ka ide. Silva është zhvendosur nga krahët në pjesën qendrore të mesfushës duke marrë edhe shiritin e kapitenit. Loja e Cityt do të varet nga ai, i cili do të ketë detyrë të gjej krahët këmbëshpejtë. Mbrojtësit do të ndryshohen gjatë verës së ardhshme dhe një finale e Ligës së Kampionëve do të vijë në vitin 2019. Një City i atij viti do të dilte fitues nga Camp Nou të mërkurën.
PARAJA
Por, këto nuk vijnë pa kosto. Atij City të cilin Pellegrini e dërgoi deri në gjysmëfinale dhe vetëm për shkak të fatit dhe lojës më palidhje gjysmëfinale që nga Porto-Deportivo e vitit 2004, i janë shtuar edhe 210 milionë në blerje të lojtarëve.
Pepi do e gjen veten, do të bëj skuadër kampionësh, ama jo pa harxhuar para. Suksesi i tij do të vijë me kosto. Magjia e tij kushton miliona! E çka është më e keqja, për të fituar nevojitet zëmër më shumë se talent. Ata që vrapojnë pas milionave zakonisht zemrën e lënë në plan të dytë.